Nga Sorgena Leka – Në një trajnim, disa të rinj kishin një temë mbi arsimin dhe një prej tyre nis prezantimin me titull “Shkolla në Shqipëri, institucion i mërzisë”. Ky është një shembull që tregon sociologe Marsida Simo për Gazetasi.al për të treguar gjendjen e të rinjve sot në vend.
Simo thotë se të rinjtë sot kanë një potencial shumë herë më të lartë se të rinjtë dikur, por arsimi dhe edukimi kanë përparuar me hapa të ngadaltë duke mos iu përshtatur tregut, novacionit, dhe të ardhmes.
Këtë e tregoi edhe i riu i cili ndër të tjera tha në trajnim se shkolla nuk arrin t’i përgatisë për tu aftësuar në aspektin personal dhe as profesional, ndaj si zgjidhje më e mirë mbetet arsimi jashtë vendit.

Kjo tregohet më së miri edhe nga një raport i përgatitur nga Gevio Tabaku, përfaqësues i Qëndresës Qytetare. Sipas Tabakut, gjatë 4 viteve të fundit janë larguar mesatarisht 8 studentë në ditë ose rreth 3 mijë studentë në vit nga universitetet publike.
“Rënia e cilësisë së arsimit publik ka bërë që regjistrimet të ulen me 11.3%, kjo shifër vetëm në 3 vitet e fundit”, tha Tabaku.
“4 nga 35 programet prioritare janë mbyllur që pa nisur ende implementimi i programit të bursave.
Kjo panoramë është një sinjal që të rinjtë nuk i preferojnë këto programe pasi ata nuk e gjejnë veten në tregun shqiptar të punës dhe nuk i besojnë politikave të Ministrisë së Arsimit për të ndihmuar studentët”, thotë Tabaku.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare thotë për Gazetasi.al se nga gjithë sondazhet që janë bërë në organizatë, rreth 80% e të rinjve duan ta lënë vendin.
“Arsyet lidhen me sistemin arsimor, me mundësitë e punësimit, me meritokracitë dhe së fundmi një shtysë e madhe janë edhe familjet që ‘e projektojnë’ të ardhmen e fëmijëve që në arsimin parauniversitar. Një detaj ndoshta i parëndësishëm është edhe fakti se prindërit jo më kot u vënë fëmijëve emra të huaj. 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e të Rinjve nuk duhet të jetë një festë, duhet të jetë një ditë reflektimi”, thotë Xhemollari për Gazetasi.al.

Ndërkohë studentët vijojnë të orientohen drejt programeve të studimit që shërbejnë si “pasaportë” për të emigruar dhe në programin e studimit Infermieri janë ezauruar 92% e kuotave.
Në 20 shtator, Gazetasi.al shkroi se mbi 1900 infermierë të sapodiplomuar ishin në pritje të provimit të shtetit prej të cilit përfitojnë licencën e profesionit. Burime thanë se vetëm në periudhën janar-korrik 2022, mbi 580 infermierë të rinj kërkuan plotësim të dokumentacionit pranë Urdhrit të Infermierit me synim emigrimin në Gjermani.
Emigrimin e mjekëve dhe infermierëve të rinj e ka pranuar për herë të parë edhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi më 6 dhjetor të këtij viti pikërisht nga Universiteti i Mjekësisë, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të këtij Universiteti.
“Një nga sfidat që ne kemi përpara dhe që duhet ta shikojmë drejt në sy e duhet ta pranojmë është largimi i mjekëve dhe infermierëve të rinj kryesisht, drejt vendeve të BE-së. Natyrisht drejt pagave më të larta, një cilësie jete”, tha Kushi.
Sociologe Simo tregon për Gazetasi.al se emigracioni është parë prej dekadash në vendin tonë si metoda e cila jep një zgjidhje kur asnjë aspekt bazë në vendin e origjinës nuk po funksionon.
“Faktikisht emigracioni si fenomen ka kaluar në disa faza në vendin tonë, e së fundmi duket se po prek kryesisht pjesën e të rinjve. Tani jemi në fazën ku emigracioni po përhapet si pandemi në mendësinë e të rinjve të cilët nxiten nga familjarët e tyre që kanë emigruar më parë, shohin realitetin e punësimit të vështirë në tregun e punës, si dhe bëjnë bilancet mujore të cilat mund të jenë të pamjaftueshme”, thotë Simo.
Madje dhe statistikat e tregojnë se edhe studentët të cilët aktualisht po studiojnë në Shqipëri e shohin perspektivën jashtë vendit, shpjegon Simo e cila shton se mes këtij realiteti ka edhe një pandemi emigrimi të rrezikshme e cila kultivohet që në vogëli tek fëmijët të cilët përgatiten vetëm për të ikur dhe për të fituar të ardhura në mënyrë të shpejtë dhe pse jo, dhe të paligjshme.
Sipas të dhënave të Instat, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 68,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 6,2 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Çdo e dhënë flet për të rinj që janë larguar ose presin të largohen nga vendi dhe në këto kushte, a e gjeti dita e rinisë Shqipërinë pa rini?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



