Ngjarje

7876 godina të dëmtuara: 131 u shembën, 20 pallate të pabanueshme

Janë gjithsej 7876 ndërtesa e pallate të dëmtuara në zonat e prekura nga tërmetet. Prej tyre, 131 banesa të shembura dhe 20 pallate të pabanueshëm është bilanci paraprak i tërmetit të 26 nëntorit në rang vendi. Të dhënat paraprake zyrtare u komunikuan nga zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila tha se shifrat mund të ndryshojnë pasi verifikimit në terren vijon.

Voda tha se numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2933.

“Në terren vijon puna për inspektimin e dëmeve në banesa  nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare. Në Tiranë janë 27 grupe vlerësimi, në Durrës grupi i ekspertëve të vlerësimit të banesave përbëhet nga 70 inxhinierë, prej tyre 50 të huaj. Në Kamëz janë katër grupe pune në terren, në Bathore dhe Paskuqan. Në Rrogozhinë 5 grupe verifikimi, ndërkohë vazhdon inspektimi dhe në të gjithë  zonat e tjera të prekura si Kruja, Laçi, Lezha, Shijaku apo Vora”, tha zv.ministrja.

Sa i përket dëmeve sipas qarqeve, rezulton se në qarkun e Tiranës rezultojnë 2000 objekte të dëmtuara, nga të cilat 410 shtëpi private të pabanueshme. Sa i përket pallateve, 202 të dëmtuar dhe 4 të pabanueshëm. Në bashkinë Durrës ka 187 objekte të inspektuara, 86 të pabanueshme dhe 4 për tu prishur. Në bashkinë Krujë, 46 objekte të inspektuara, 5 të pabanueshme, asnjë për tu prishur. Në bashkinë Shijak, 45 objekte të inspektuara, 25 të pabanueshme, asnjë për tu prishur. Në rang qarku Durrësi ka 287 objekte të inspektuara. Deri tani janë prishur 14 objekte të shkatërruara, 7 në Durrës dhe 7 në Thumanë. Vazhdon aksioni, në Durrës për 8 objekte dhe 1 në Thumanë. Në bashkinë Durrës është krijuar qendra dispeçer ku janë vendosur 6 telefona dhe operatorë të cilët nisin punën brenda ditës së sotme. Shumë shpejt, kjo qendër do të jetë funksionale për të pritur çdo telefonatë dhe për të koordinuar për çdo shqetësim. Ftojmë të gjithë qytetarët të kontaktojnë qytetarët për çdo nevojë asistencë apo ndihmë materiale numrat do të afishohen në vijim.

Në rang kombëtar bilanci paraprak është:

Banesa të shembura- 131

Banesa të dëmtuara rëndë- 3811

Banesa të dëmtuara lehtë- 3149

Pallate të dëmtuara rëndë-461

Pallate të dëmtuara lehtë-324

Pallate të shpallur të pabanueshëm-20

Sa i takon strehimit të banorëve:

Në hotele-1961 qytetarë

Në çadra- 964 qytetarë

Në qendra sociale-867 qytetarë

Në familje dhe të afërm-2525 qytetarë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë