Shendet

77 % e rasteve në Europë me BA.5, Alimehmeti: Doza e katërt e panevojshme, situata më e qetë në 3 vite pandemi

Gazeta Si –Me gjithë rritjen e shpejtë të numrit të infektimeve nga nënvariantit Omicron, ekspertët e shëndetit publik thonë se kjo verë është më e qeta në 3 vitet e pandemisë.

I pyetur nga Gazetasi.al mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti thotë se, sipas të dhënave më të fundit, nënvarianti i Omicron, BA.5, përfshin 77 për qind të rasteve pozitive në Europë.

Por situata aktuale sipas tij, është më e qeta ndër 3 vitet e pandemisë.

Mjeku epidemiolog në QSUT, Ilir Alimehmeti

“BA5 po dominon gjithë Evropën, me 77 % e ndjekur nga BA.2 me 9 %, BA.4 me 9 % të rasteve, BA2.12.1 me 5 %. Ndërsa nënvarianti që po qarkullon në Indi, BA2.75, është në shifra mjaft të ulëta që nuk ka ndikuar në grafik”, thotë Alimehmeti teksa sqaron situatën epidemiologjike të Covid-19.

Sipas tij, numri i ulët i shtrimeve në spital është një tjetër tregues që jemi në kushtet e një sezoni mjaft të qetë, në raport me 2 vitet e shkuara.

“Nëse i referohemi Shqipërisë, kemi 30 të shtruar në spital dhe 1461 raste pozitive në 24 orët e fundit, siç njofton ministria e Shëndetësisë. Mund ta bëni vetë krahasimin me dy vitet e tjera të pandemisë”, thotë doktor Alimehmeti.

Foto ilustruese-Infermiere në spitalin infektiv-Marrë nga interneti-Gazeta “Si”-19.07.2022


Por a duhet të jemi në alarm për më tej?


Mjeku Alimehmeti thotë se referuar Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), dozat e dyta përforcuese ose doza e katërt, duhet të merret në konsideratë për moshat 60-79 vjeç dhe për moshat mbi 80-vjeç, duhet të bëhet doza e katërt e vaksinës.
“Kur themi të merret në konsideratë do të thotë të shohim çfarë risku ka për formë të rëndë, sa sëmundje të tjera ka e nëse e ka kaluar apo jo virusin më parë”, thotë doktor Alimehmeti.

Sipas tij, situata aktuale epidemiologjike, qarkullimi normal dhe pa forma të rënda i BA.5 e bëjnë të panevojshme kryerjen e dozës së katërt të vaksinës anticovid.

Doktor Alimehmeti thotë se doza e katërt e vaksinës do të shërbente për personat që kanë të zhvilluar një sëmundje, për të parandaluar formën e rëndë të infektimit, por ajo nuk ka mbrojtje për BA.5.
“Nënvarianti BA.5 ka treguar se është mjaft ngjitës por shumica e rasteve kalon pa simptoma ose 3-4 ditë në formën e një gripi. Nuk duhet të nxitohemi të rekomandojmë dozë të katërt për këtë lloj nënvarianti”, thotë Alimehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë