Me diçka më shumë se 10 euro në xhep ka jetuar në parkun e terminalit të Mumbai: “Ishte gjithnjë dikush që më jepte pak bukë, një pije”. U përball gjithashtu me një ciklon. Historia e Randy Juan Muller, futbollistit ganez që luan futboll me 7 në shtetin e Kerala, ngjan shumë me historinë e Tom Hanks në ‘The terminal’. Në fillim të marsit u ngjit në trenin për Thrissur për të mbërritur në aeroportin e Mumbai, ku e priste fluturimi për në shtëpi. Por aty nisi makthi.
Për dy muaj Randy mbeti aty, pasi zbuloi se të gjithë fluturimet ndërkombëtare ishin të ndaluar, për shkak të pandemisë. Në xhep kishte rreth 1000 rupie (11 euro), kursimet e sezonit futbollistik ndërprerë nga koronavirusi. Deri të shtunën, jetoi në parkun jashtë terminalit, deri kur për historinë e tij u interesua ministri i Maharashtra Aaditya Thackeray, e pastaj ambasada e Ghanës, që i gjeti një hotel, në periferi. Tani, pas 73 ditësh Muller sheh dritë në fund të tunelit: “Më kanë premtuar të më hipin në fluturimin e parë për në shtëpi. Por mendova se do vdisja”, ka treguar ai për Indian Express.

Ai zbulon tmerrin e ditës së parë si i burgosur në aeroport, pa një vend ku të qëndronte. “U zgjova nga një polic. Më kërkoi të largohesha nga aeroporti. Por nuk mund të kthehesha në Kerala sepse trenat ishin anuluar, nuk mund të shkoja në hotel sepse nuk kisha para”. Gjeti një kënd në park ku policia nuk do ta gjente lehtë . ‘’Tani e ndjej se është një nga vendet më të bukura ku kam fjetur. Ajri, yjet dhe njerëzit miqësorë … “, thotë ai, pasi përballoi edhe ciklonin Nisarga, që goditi Mumbain javën e kaluar. Për 20 ditë nuk foli dot as me familjen sepse iu shkarkua bateria e telefonit. “Mendonim se kishte vdekur” tha një prej tyre. E tani është gati të kthehet në shtëpi, pikërisht si Tom Hanks… “Nuk kam para për një suvenir ose dhuratë, por mendoj se kjo eksperiencë është suveniri më i madh. Jam gati të kthehem në Kerala”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




