Politike

7 kushtet për Bashën. Kreu i PD takon aleatët dhe më pas ambasadorin e OSBE

Kryedemokrati Lulzim Basha takon drejtuesit e partive aleate me qëllim për të pasur një koordinim në lidhje me reformën zgjedhore dhe për situatën politike. Në qendër të diskutimeve do të jetë ftesa e paraqitur nga OSBE-ja për të marrë pjesë në tryezën e datës 25 shtator për të diskutuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Opozitarët nuk kanë pasur një refuzim kategorik ndaj kësaj ftese të paraqitur nga OSBE-ja, edhe pse kryedemokrati Basha do të deklaronte se nuk do të pranonte ftesën e paraqitur edhe në emrin e bashkëkryetarit të komisionit të reformës zgjedhore, socialistit Damian Gjiknuri, duke e cilësuar si një provokim. Basha theksoi se kjo ftesë ishte një provokim, pasi sipas tij, Gjiknuri duhet të ishte në burg për shkak të dosjes së përgjimeve për zgjedhjet në Dibër.
“Unë pres që OSBE të shprehet për shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit, për tre kryebashkiakët me probleme me ligjin. Duhet të dilet nga ky terren problematik. Këtu ka një realizëm, sepse e njohim situatën dhe ka një krizë të thellë. Zgjidhja e saj ka interes edhe për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Basha një javë më parë.

Kreu i PD, Lulzim Basha. Gazeta Si, 24 shtator 2019


Por kryedemokrati Basha duket se ka hasur edhe rezistencën e aleatëve, të cilët kanë dalë kundër ndonjë refuzimi apriori, por të shihet si një hapësirë për të nisur negociatat me mazhorancën.
Sakaq mësohet se ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt do të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në ora 15:00. Kjo lëvizje e fundit e ambasadorit vjen një ditë para tryezës së thirrur nga OSBE, në kuadër të reformës zgjedhore.
Pas ftesës së paraqitur nga ana e OSBE-së, kryeministri Edi Rama i bëri një thirrje publike kryedemokratit Lulzim Basha për të biseduar për reformën zgjedhore, duke kërkuar që të diskutohet pa kushte. Por lideri i PD-së, e refuzoi këtë ftesë, duke deklaruar se çështja nuk zgjidhet vetëm me një takim dhe se duhet të përcaktohet shkaktari që ka krijuar një situatë të tillë, që sipas tij, është kryeministri Edi Rama. Kushti kryesor për opozitën është shkëputja e politikës nga krimi, e për këtë fajtor është mazhoranca.
Kushtet e aleatëve të PD për krizën e reformën
Në takimin e sotëm, Basha do të diskutojë edhe për platformën që do të hartohet me aleatët për zgjidhjen e krizës. Aleatët i kanë paraqitur një dokument me shtatë pika kryedemokratit, i cili duhet të vendosë për hartimin e dokumentit final që synon realizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Platforma me 7 pika është propozuar nga Fatmir Mediu dhe pritet të diskutohet me aleatët.


Një nga pikat për zgjidhjen e krizës është bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar. “Përgatitja e takimeve me ndërkombëtarët në Tiranë, Bruksel, Vjenë, Berlin, DC, Londër etj., të zhvillohen si opozitë. Kjo formë duhet t`i imponohet ndërkombëtarëve. Përgatitja e një materiali ku të përfshihen; Raporti i ODHIR, Raporti i Departamentit Amerikan për krimin dhe trafiqet, raporte të tjera, si dhe qëndrime të mediave ndërkombëtare si Bild, VOA etj, shoqëruar me non-paper nga ana jonë, ku sugjerohen zgjidhje dhe qëndrime të opozitës. Fakte se si Rama ka shkatërruar procesin e integrimit europian, sistemin Kushtetues, ligjore dhe Institucional në vend”, thuhet në dokument e aleatëve të PD-së.

Kryetari i PR Fatmir Mediu, kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, kryetari i PDK, Nard Ndoka, kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, kryetari i PAA, Agron Duka, duke dalë pas një takimi me kreun e delegacionit të BE në Tiranë ambasadorin, Luigi Soreca. Foto Arkiv, LSA. Gazeta Si, 24 shtator 2019

Më tej theksohet se kërkohet “dialogu për zgjidhjen e krizës së rënde politike me prezencë të ndërkombëtarëve, me prioritet zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si rruga për daljen nga kriza; bashkëpunimi me trupin diplomatik në Tiranë, për zgjidhjet që ofrojmë, duke parashtruar me shkrim qëndrimet tona, për të evituar keqinterpretimet si dhe Kontaktet me partitë apo Grupimet politike aleate në BE dhe USA”. Sa i përket reformës zgjedhore, aleatët kërkojnë hartimi një dokumenti të unifikuar, kjo edhe për një drejtësi të pavarur. Në këtë kuadër, propozohet se të gjitha partitë e koalicionit, të paraqesin opsionet për Reformën Zgjedhore, deri në përcaktimin e një qëndrimi të përbashkët. Propozimet te paraqiten me shkrim brenda 10 ditëve; Reformës Administrative dhe drejtimi dhe organizimi i koalicioneve në nivel lokal. Drejtimi nga Partia Demokratike, në mënyrë që të krijohet sinergji në nivel lokal.

Ndërsa një ndër kushtet e propozuara nga aleatët e PD-së është rikthimi i të gjithë figurave të larguar për të realizuar atë që cilësohet si Krijimi i Senatit të Opozitës. “Figura politike dhe qeverisëse të opozitës, si dhe figura intelektuale të artit, mjekësisë, Universiteteve, kulturës, me figura të shquara, që janë jashtë vendit. Ofrimi i Intelektualëve me emër, në emër të bashkëqeverisjes. Këshilli i ish deputetëve, ish ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive”, thuhet në pikën e gjashtë të kësaj platforme. Gjithashtu kërkohet koordinimi më i mirë dhe dalja publike në emër të koalicionit opozitar dhe jo secila parti politike më vete, si dhe përcaktimi i një kalendari të takime me bazën për paraqitjen e platformës së përbashkët të opozitës që synon zgjidhjen e krizës politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë