Futboll

65 vjet Champions, ideja e një gazetari që ndryshoi përgjithmonë futbollin

Gëzuar ditëlindjen Champions! 65 vite më parë, më 2 prill 1955, drejtuesit e 16 federatave ranë dakord për krijimin e një turneu europian për klubet. Ideja brilante ishte e gazetarit Gabriel Hanot, i cili më pas u bë edhe babai i “Topit të Artë”.

Kanë kaluar 65 vjet nga 2 prilli i 1955-ës, kur drejtuesit e 16 federatave u mblodhën në “Hotel Ambassador” në Paris për të diskutuar idenë që më pas do të ndryshonte krejtësisht historinë e futbollit europian. Nëse sot flasim për Champions League si turneun ndërkombëtar më të rëndësishëm në rang klubesh, e bëjmë sepse pikërisht atë ditë u vu guri i parë për Kupën e Kampionëve.

Gabriel Hanot, babai i Championsit dhe "Topit të Artë". Gazeta Si, 2 prill 2020

Ideja për përballjen mes skuadrave më të forta europiane ishte e Gabriel Hanot, ish-futbollist dhe në atë kohë redaktor i “L’Equipe”. Hanot ishte i njohur për idetë revolucionare në fushën e futbollit. Në vitet 1930 ishte ndër të parët futbollistë profesionistë dhe pas luftërave ai kontribuoi në krijimin e Kupës Latine, turne që vinte përballë skuadra të Italisë, Spanjës, Francës dhe Portugalisë. Vendimi për të zgjeruar horizontet dhe për të krijuar një turne kontinental erdhi mes viteve ‘54 dhe ’55, pasi u përkufizua si “Kampion Bote” ekipi i Volverhemptonit nga gazetarët anglezë të “Daily Mail”. Një term që lindi pas fitores së Volves ndaj ekipit mitik hungarez, Honved, ku luante i madhi Ferenc Pushkash.

Gazetari francez u përgjigj me një shkrim në të përditshmen ku punonte. “Jo, Volves nuk janë kampionët e botës!”, - shkruante Hanot dhe mes rreshtave përmendte idenë e një turneu që mund ta bënte legjitim atë përkufizim. Hanot e kishte shumë seriozisht dhe më 2 mars 1955 e përmendi pa druajtje idenë e tij në asamblenë plenare të UEFA-s. Ishte një propozim revolucionar për kohën, jo vetëm për anën gjeografike, por edhe për anën ekonomike sa u takon televizioneve, diçka që dukej si profetike në ato vite.

FIFA dhe UEFA ishin skeptike dhe refuzuan, sepse dy institucionet kishin përparësi ekipet kombëtare, por disa drejtues të futbollit europian dhe botëror u tërhoqën nga ideja. Ata ishin Gustav Sebes, i konsideruar si babai i Hungarisë së Madhe, dhe Santiago Bernabeu, presidenti legjendar i Real Madridit. Influenca e dy drejtuesve ndaj kolegëve të tyre ndërkombëtarë çoi në takimin vendimtar më 2 prill 1955. Ishin 16 përfaqësuesit dhe francezi Ernest Bedrignans drejtonte komitetin organizator, por ishin Bernabeu dhe Sebes, zëvendëspresidentë të komitetit, që bënin ligjin. Të gjithë ishin dakord për të mirat që do të sillte ky kompeticion, veçanërisht anën ekonomike.

FIFA dhe UEFA, të gjendur para këtij fakti, dhanë miratimin e tyre me kushtin që turneu të luhej me logon e UEFA-s dhe të mos ndërhynte në kalendarin e ndeshjeve të kombëtareve. U vendos të quhej “Kupa e Kampionëve për klube”, edhe pse në disa vende u njoh thjesht si “Kupa Europiane”. Nuk ndryshoi deri në vitin 1992, kur UEFA vendosi të quante Champions League.

Nga finalja e parë e Championsit, Real Madrid-Stade Reims 4-3. Gazeta Si, 2 prill 2020

Kupa e Kampionëve debutoi më 4 shtator 1955, me ndeshjen e turit të parë mes Sportingut dhe Partizanit të Beogradit në “Estadio Nacional” të Lisbonës, përpara 30 mijë tifozëve dhe përfundoi 3-3. Milani, përfaqësuesi i Italisë, kaloi në turin e parë Sarbrykenin dhe në çerekfinale Rapidin e Vjenës, për t’u eliminuar në gjysmëfinale nga Real Madrid. Ishin madrilenët që çuan në shtëpi trofeun, pasi mundën në finale francezët e Stade Reims, duke përmbysur rezultatin nga 0-2 në 2-2 dhe pastaj nga 2-3 në 4-3.

Interesant është fakti se në atë mbledhje të 2 prillit ishte e kotë pjesëmarrja e Çelsit, sepse Federata Angleze e kishte snobuar idenë, duke mos lejuar pjesëmarrjen e asnjë skuadre të saj në këtë kompeticion. Por, duke parë suksesin e edicionit të parë, edhe Federata Angleze ndryshoi mendje, duke lejuar Mançester Junajtid të merrte pjesë. Çelsi do të debutonte në Kupën e Kampionëve 44 vjet më pas, në vitin 1999.

Po Hanot? Mendja që lindi Kupën e Kampionëve jo vetëm vazhdoi me sukses aktivitetin gazetaresk, por pak muaj më pas dha një tjetër ide brilante në faqet e “France Football”: propozoi vlerësimin çdo vit të lojtarit më të mirë europian. Dhe falë gazetarit francez, përveç Kupës së Kampionëve, ekziston sot edhe “Topi i Artë”, çmimi individual për shkëlqesinë e futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë