Art dhe Kulture

64 artistë nga bota mblidhen në Tiranë në edicionin e dytë të ‘Tirana International Video Art’

Nga Gazeta “SI”– Edicioni i dytë i TIVA (Tirana International Video Art) hap siparin të premten, datë 30 tetor nën organizimin e Qendra Bind me producent Edrin Koleka , dhe me kurator Florian Haxhihysenin.

e pjesëmarrjen e 64 artistëve nga disa vende të botës, TIVA vjen në këtë edicion të dytë i rikonceptuar dhe i aksesueshëm në dy lokacione: HangarT dhe Salla e Arkivës Qendrore të Filmit në Kinostudio, ku artdashësit dhe të interesuarit do të kenë mundësinë që për katër netë me radhë të njihen me punët krijuese më të reja të artistëve nga e gjithë bota.

Kuratori i TIVA-s, pedagogu i Multimedias Florian Haxhihyseni, thotë për Gazeta Si se këtë vit numri i pjesëmarrësve ka qenë shumë i lartë, duke e shtuar kështu edhe më tej interesin për këtë festival.

“Kanë ardhur 212 video në konkurrim dhe janë përzgjedhur 64 video, të cilat do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga Vladimir Myrtezai dhe Robert Aliaj. Qëllimi i TIVA-s është të promovojë dhe të prezantojë vetëm videoartin, sepse në konkurrim ka pasur edhe filma që nuk janë brenda kritereve të organizimit tonë.”

Duke qenë një hapësirë e re dhe e përshtatshme, këtë vit TIVA do të mbahet në dy lokacione: HangarT dhe Salla e Arkivës Qendrore të Filmit.

“Nata e parë hapëse mbahet më datë 30 tetor dhe janë paralelisht dy pika ku do të shfaqen videot konkurruese. Njëra është HangarT, një hapësirë e përshtatshme për prezantim, dhe lokacioni i dytë është salla e Arkivës Qendrore të Filmit, që ka një kapacitet prej rreth 80 vendesh, ku do të shfaqen të gjitha videot. Në HangarT do të ketë një video-instalim me të gjitha videot pjesëmarrëse, ndërsa tek Arkiva Qendrore do të shfaqen videot në ekranin e madh, në formatin e kinemasë. Të dy ambientet do të jenë të vizitueshme në të njëjtën kohë. Sigurisht, në Arkivë do të ketë një program të shfaqjeve. Dua të falënderoj me këtë rast drejtorin e QKK-së, Jonid Jorgjin, drejtorin e Arkivës së Shtetit, Eljan Taninin, si dhe Endi Shanin, për mbështetjen e tyre në këtë event.”

Haxhihyseni shpjegon se pjesëmarrja më e madhe këtë vit vjen nga jashtë vendit, ndërkohë që nga Shqipëria janë 30 artistë në konkurrim.

“Më kanë habitur shumë artistët brazilianë dhe portugezë. Nga 212 video që kanë ardhur në konkurrim, vetëm 30 janë nga Shqipëria, çka do të thotë se kryesisht aplikimet kanë ardhur nga artistë të huaj.”

Si pedagog i Multimedias në Universitetin e Arteve, ai thotë se TIVA lindi edhe si nevojë për t’u dhënë të rinjve mundësinë e një arene ku ata të demonstrojnë talentin dhe punën e tyre krijuese.

“Ajo që unë përpiqem të nxis është pjesëmarrja e të rinjve, sepse TIVA është një ring, një arenë ku ata prezantohen duke qenë edhe konkurrues dhe duke u testuar në një farë mënyre me artistët e tjerë. Kjo vjen edhe për shkak të punës që bëj si pedagog, për t’u dhënë mundësi edhe studentëve të mi të prezantohen dhe të kenë një dritare ku të shfaqin punët e tyre. Në fakt, kështu lindi edhe TIVA, gjatë një bisede me Edrinin. Pra, në një farë mënyre, ky është një ndër qëllimet e TIVA-s që të shërbejë edhe për artistët e rinj.”


Festivali TIVA do të zgjasë katër netë, nga data 30 tetor deri më 2 nëntor, ku natën e fundit në sallën e Kinema “Agimi” do të ndahen edhe çmimet për më të mirët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë