Ngjarje

627 viktima në 24 orë, dita me më shumë viktima në Itali

Në Itali, që nga fillimi i epidemisë së Koronavirus, 47.021 persona kanë kontraktuar virusin Sars-CoV-2 (krahasuar me dje ata janë 5,986 më shumë për një rritje prej 14.6%). Ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 4032 ku në 24 orët e fundit janë shënuar 627 viktima.

Ky është numri më i lartë i vdekjeve të regjistruara ndonjëherë në 24 orë.

Këtë e bëri me dije kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli në konferencën për shtyp të së premtes. Vetëm në Lombardi, e cila është provinca më e prekur nga COVID-19 kanë ndërruar jetë brenda 24 orëve 381 persona.

Ndërkohë janë 16.020 pacientë të shtruar në spital me simptoma; 2,655 janë në kujdesin intensiv (+157, + 6.2%), ndërsa 19.185 janë në izolim.

Borrelli ndër të tjera është shprehur se nuk dihet se kur do të jetë kulmi.

“Ne kurrë nuk do ta dimë se kur do të jetë kulmi, thonë ekspertët, nuk ka të dhëna shkencore. Ka trende ose vlerësime. Masat e deritanishme kanë dhënë rezultate: numri i njerëzve pozitiv është rezultati i qarkullimit të virusit që i paraprin shtrëngimit dhe shpresojmë që me masat e tanishme dhe që do të merren ato do të na lejojnë të ndalojmë epideminë”.

Mjekët kinezë që kanë mbërritur dy ditë më parë në Milano për të ndihmuar, thanë se masat e marra në Lombardi nuk ishin “të rrepta mjaftueshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë