Lajme

60 minutat në zyrë, Besnik Muçi: Të vendosë Gjykata Kushtetuese për mua

Besnik Muçi sfidoi vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që e shkarkoi për probleme me pasurinë. Ai i qëndroi deklaratës së bërë në përfundim të seancës, ku tha se KPA e kishte shkarkuar vetëm nga pozicioni i prokurorit, jo si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët, siç pretendon Muçi, vettingu nuk ka kompetencë dhe bazë ligjore referuese.

Mbi këtë bindje, Muçi u paraqit edhe fizikisht edhe përmes një letre ku i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të vendosë në lidhje me mandatin e tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Muçi hyri në godinën e Gjykatës Kushtetuese një ditë pas vendimit të KPA-së i papenguar nga 2 rojet e sigurisë. Më pas, burime të gazetës “Si” thonë se si çdo ditë që prej 18 tetorit, kur u betua para Presidentit Ilir Meta si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi i është drejtuar zyrës së tij, që e ka në katin e dytë të ndërtesës.

Gjatë ngjitjes së shkallëve dhe nëpër korridoret e gjykatës, Besnik Muçi ka shmangur takimet si me anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe me pjesëtarë të administratës ndihmëse të kësaj gjykate.

Por, qëndrimi brenda në zyrë nuk ka zgjatur shumë. Burime të sigurta të gazetës “Si” thonë se ai ka qëndruar rreth 60 minuta dhe më pas është larguar. Për largimin ka përdorur rrugë tjetër nga ajo nga hyri. Burimet thonë se Besnik Muçi u largua nga dalja e pasme e Gjykatës Kushtetuese, ku është futur menjëherë në një mjet dhe është larguar, duke shmangur tërheqjen e vëmendjes dhe komunikimin me mediat që e prisnin jashtë.

Orari zyrtar i punës është 8 orë, ndaj pyetja që u ngrit ishte se si mund të lexohej ky qëndrim i shkurtër i Besnik Muçit në zyrë? A është tërhequr ai nga deklarata e një dite më parë kur tha se edhe pas vendimit të KPA-së mbetet anëtar i Gjykatës Kushtetuese? Apo u tërhoq nga ky qëndrim dhe hyrja nga dera kryesore si anëtar këtë të premte ishte e fundit dhe në 60 minutat e qëndrimit në zyrë ka marrë sendet personale?

Emri i Besnik Muçit ndodhet ende në listën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Gazeta Si, 22 nëntor 2019

Por, qëndrimi brenda në zyrë nuk ka zgjatur shumë. Burime të sigurta të gazetës “Si” thonë se ai ka qëndruar rreth 60 minuta dhe më pas është larguar. Për largimin ka përdorur rrugë tjetër nga ajo nga hyri. Burimet thonë se Besnik Muçi u largua nga dalja e pasme e Gjykatës Kushtetuese, ku është futur menjëherë në një mjet dhe është larguar, duke shmangur tërheqjen e vëmendjes dhe komunikimin me mediat që e prisnin jashtë.

Përgjigjia mbërriti kur Gjykata Kushtetuese bëri publike një letër të nënshkruar nga Besnik Muçi me statusin “anëtar i Gjykatës Kushtetuese”. Në këtë letër, duke iu referuar neneve të Kushtetutës, të ligjit të vettingut dhe të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Besnik Muçi kërkon një vendim nga ana e kësaj të fundit nëse i ka përfunduar mandati apo jo.

"Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që të inicioni procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese", thotë ai.

Kërkesa e Besnik Muçit drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Gazeta Si, 22 nëntor 2019

Letra mbyllet me sqarimin se çfarë do të bëjë Besnik Muçi deri kur Gjykata Kushtetuese të vendosë. “Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore”, shkruan Muçi.

Kjo nënkupton se Besnik Muçi do të vazhdojë ta konsiderojë veten anëtar të Gjykatës Kushtetuese, deri kur kjo e fundit të marrë një vendim në lidhje me mandatin e tij. Por, pritja mund të jetë relativisht e gjatë, për shkak të mungesës së kuorumit nga kjo trupë. Mungesa e kuorumit ishte arsyeja se përse Gjykata Kushtetuese nuk mori një vendim në lidhje me kërkesën e Arta Vorpsit që ta njohnin si anëtare të kësaj gjykate.

Ky qëndrim i Besnik Muçit bie ndesh me qëndrimin e disa ekspertëve, me të cilët gazeta “Si” komunikoi ditën e enjte. Në prononcimet e dhëna, ata thanë se pas vendimit të KPA-së ai nuk është më anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe se me këto interpretime të Kushtetutës vendi po shkon drejt kaosit.

E vetmja rrugë për Besnik Muçit që të kundërshtojë vendimin e KPA-së, edhe sipas ekspertëve, është që t’i adresohet Strasburgut, duke u bërë kështu subjekti i dytë i vettingut që i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pas Altina Xhoxhajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë