Nga Gazeta “SI”– Ai që nisi si një incident i vogël mes një të burgosuri dhe një gardiani në burgun famëkeq të Spaçit, u kthye brenda orësh në një nga aktet më të guximshme të rezistencës ndaj regjimit komunist shqiptar. Më 21 maj 1973, dhjetëra të dënuar u ngritën në protestë të hapur, duke sfiduar drejtpërdrejt autoritetin e diktaturës.
Shkëndija që ndezi revoltën ishte lirimi nga izolimi i të dënuarit Pal Gjergj Zefi. Pas një muaji në qeli, një gardian i komunikoi se dënimi me izolim kishte përfunduar dhe se duhej të rikthehej në ambientet e përbashkëta me të burgosurit e tjerë. Por në vend që të zbriste, Pal Zefi u ngjit me vrap në taracën e repartit, me një shufër hekuri në dorë, duke kërcënuar se do të godiste këdo që i afrohej. Brenda pak minutash, të tjerë të burgosur iu bashkuan, duke i dhënë jetë një revolte që do të zgjasë për dy ditë.
Të dënuarit u organizuan, u konfrontuan fizikisht me gardianët, me trupat e repartit 303, dhe më pas me forcat e Sigurimit të Shtetit dhe të Ushtrisë të ardhura nga Tirana. Për dy ditë rresht, burgu i Spaçit u kthye në një fole rebelimi, ku thirrjet “Poshtë komunizmi!” dhe “Rroftë Shqipëria e lirë!” kumbuan në galeritë e kampit.
Për regjimin, revolta ishte një akt tronditës që duhej shtypur me çdo kusht. Për të burgosurit, ajo ishte një akt dinjiteti dhe thirrje për liri, i paguar me dhunë, tortura dhe ndëshkime të rënda pas shtypjes së revoltës.

Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, françeskani shqiptar At Zef Pllumi e kujton kështu revoltën e Spaçit: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllavëve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”
At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij që kishte takuar në burg: “Me 21 maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!”

Mbas asaj thirrje dëshprimi, tregon At Zef Pllumi: “U çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut pa yllin komunist duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mendë, revolta u shtyp me dhunë e gjak”- shkruan At Pllumi.
Revolta përfundoi me katër të dënuar me pushkatim, 8 të burgosur u ri-dënuan me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.
Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë ishin qenë Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.