Ngjarje

5 deri në 10 vjet burg kush ngre dorë ndaj grave dhe dhunën në familje

Dy deputetet Klotilda Bushka (Ferhati) dhe Eglantina Gjermeni kanë paraqitur një projektligj për sa i përket disa ndryshimeve në Kodin Penal, ku propozohet dënimi i personave që dhunojnë bashkëshorten apo bashkëshortin me 1 deri në 5 vjet burg, duke ndryshuar kështu nenin 130/a të Kodit Penal, për dhunën në familje.

“Rrahja dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kodi Penal në fuqi parashikon që kjo vepër penale dënohet me burgim deri në dy vjet, duke mos vendosur një kufi për dënimin më të ulët. Po këto vepra, të kryera në mënyrë  të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga dy deri në 10 vjet burgim,” thuhet më tej në projektligj.

Sipas deputeteve, edhe pse në vitin 2013 u parashikua për erë të parë kriminalizimi i veprës penale të dhunës në familje ky sanksion nuk ka pasur asnjë efekt, në të kundërt dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinorë është shtuar. Ato theksojnë se dhuna e përsëritur ndaj grave, deri në humbjen e jetës janë një kambanë alarmi për një ndërhyrje të menjëhershme të legjislacionit.   

Deputetet kanë cilësuar gjithashtu se legjislacioni i tanishëm nuk i ka ndaluar dhunuesit t’i shpëtojnë ndëshkimit.

Sipas shpjegimit në relacionin shpjegues për projektligjin, qëllimi është arritja e barazisë gjinore dhe minimizimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave në marrëdhëniet familjare. Gjithashtu, edhe përmbushjen e rekomandimeve për Shqipërinë të Komitetit GREVIO, të publikuar në dhjetorin e 2017, për parandalimin dhe luftimin e dhunës na grave dhe dhunës në familje që parashikohet në Konventën e Stambollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë