Nga Gazeta Si- Rreth 45 për qind e maturantëve shqiptarë e pranojnë se do të mundohen të kopjojnë në provime, një rritje prej 10 për qind në krahasim me një vit më parë.
Në një hulumtim të publikuar nga Portali Studentor janë pyetur rreth 660 maturantë për të kuptuar ndjesitë e tyre dhe perceptimin që ata kanë për procesin e provimeve të maturës shtetërore.
Gjatë viteve të fundit, gati në çdo provim të maturës gjendet mënyra se si maturantët te futen në ambientet e provimit bashkë me telefonin e tyre, kur procedura tregon që maturantët duhet të kontrollohen në hyrje dhe gjatë zhvillimit të provimeve duhet të ketë bllokues valësh për të eleminuar komunikimin e tyre me anë të pajisjeve elektronike.
Pasoja që sjell marrja me vetë e telefonit, është publikimi i provimit në rrjete sociale vetëm pak momente pasi maturantët kanë filluar procesin.
Për të hedhur më shumë dritë mbi angazhimin paraprak të maturantëve për të kopjuar, Portali Studentor i ka pyetur ata nëse kanë në plan të kopjojnë gjatë zhvillimit të provimeve.
47.3% e maturantëve shprehen se nuk do të kopjojnë, ndërsa 45.2% e tyre e konfirmojnë angazhimin për të kopjuar.
Në krahasim me vitin e kaluar, totali i maturantëve që shprehen se do të kopjojnë është rritur me më shumë se 10%.
Në vijim maturantët janë pyetur nëse mendojnë se do të penalizohen nëse administratorët e provimit i kapin duke kopjuar. 52.6% e tyre mendojnë se do të penalizohen, 9% mendojnë se nuk do të penalizohen, ndërsa 38.4% shprehen me "nuk e di".
Pyetja tjetër vijon duke dashur të kuptohet nëse maturantët kanë dëgjuar për raste në të kaluarën ku administratorët e provimit nuk kanë penalizuar maturantët të cilët kanë kopjuar. 60% e maturantëve shprehen se kanë dëgjuar raste të tilla, ndërsa 37.8% shprehen se nuk kanë dëgjuar.
Maturantët janë pyetur edhe për arsyet e angazhimit në të kopjuar. Shumica e tyre zgjedhin dëshirën për të fituar programin e studimit që ata duan në universitet dhe mos-zhgënjimin e prindërve si arsye kryesore.
Procesi i maturës shtetërore është një ndër proceset më të rëndësishme për maturantët të cilët duan të vazhdojnë studimet universitare. Këto provime mbartin një peshë të madhe në formulat e llogaritjes së pikëve të programeve të studimit të universiteteve.
Duke qenë se këto provime mbartin një peshë kaq të lartë, çdo vit maturantët përballen me emocione të forta gjatë periudhës së zhvillimit të këtyre provimeve, ku 75 për qind e maturantëve shprehen se ndjehen shumë në stres/ankth.
Vlen të theksohet se ndër vite këto provime kanë pasur problematika të shumta dhe janë ndjekur me reagime si protesta, peticione, etj., nga maturantët.
Ndryshimet që janë prezantuar vitin e kaluar dhe që vijojnë të mbeten edhe këtë vit, kanë shtuar nivelin e stresit/ankthit tek maturantët. Disa nga ndryshimet kanë të bëjnë me zhvillimin e provimeve të maturës në salla të mëdha, të monitoruara nga kamerat.
Kur maturantët janë pyetur në lidhje me zhvillimin e provimeve në ambiente të mëdha dhe të monitoruara nga kamerat, ata kanë reaguar duke mos e pranuar. Sipas pyetësorit, rezulton se mbi 82.1% e tyre janë kundër monitorimit me kamera ditën e provimit.
Një nga pyetjet e tjera është se në cilin provim maturantët hasin më shumë vështirësi. Rezultatet janë si vijon (maturantët mund të zgjidhnin më shumë se një alternativë):
Matematika ka qenë gjithnjë provimi që ka vendosur më shumë në vështirësi maturantët.
Në provimet e maturës të vitit 2021, pas protestave të maturantëve me pretendimin se pyetjet e provimit të matematikës ishin jashtë programit orientues, pragu i kalueshmërisë ndryshoi nga 15 pikë në 12 pikë.
Me këtë ndryshim, mbetën 3,018 maturantë. Nëse pragu nuk do kishte ndryshuar, numri i maturantëve mbetës do shkonte në 6,273.
Në lidhje me besimin që maturantët kanë për mbarëvajtjen e procesit (duke nënkuptuar se procesi nuk do të ketë probleme, administratorët do sigurojnë qetësinë e grupit dhe nuk do lejohet të kopjohet), shumica e tyre (39.6%) japin notën 3. Nota 1&2 e kombinuar, përbën 33.1% të totalit, ndërsa nota 4&5 përbën 27.3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.