Shendet

40 viktima dhe 591 të infektuar në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut ka shënuar një tjetër rekord tragjik në luftën kundër koronavirusit, duke regjistruar 40 humbje jete dhe 591 të infektuar, 218 prej të cilëve në Shkup. Ndërkohë listës së të shëruarve iu kanë shtuar edhe 439 persona. Ministrisë së Shëndetësisë tha se bilanci i 24 orëve të fundit është më i rëndi në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i pandemisë. Rastet e reja, rezultojnë nga testimi i 1,683 mostrave.

Dhjetë nga viktimat janë nga kryeqyteti, në Prilep janë regjistruar pesë viktima. Nga tre viktima kanë Shtipi, Velesi, Manastiri dhe Gostivari, nga dy viktima kanë regjistruar Kumanova, Kërçova, Struga, dhe Kavadari ndërsa nga një viktimë kanë regjistruar Tetova, Dojrani, Strumica, Krusheva, Sveti Nikolla.

Maqedonia e Veriut ka konfirmuar që nga fillimi i pandemisë gjithsej 47,636 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,345 pacientë kanë vdekur dhe 27,803 janë shëruar. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë thirrje për respektimin e masave mbrojtëse, ndërsa gjithashtu ka premtuar ndihmë për përballje me pandeminë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë