Kosova

4 vite pa asnjë njohje, Kenia njeh zyrtarisht Kosovën

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se Kenia e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Pacolli, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, shkroi në Facebook se njohja u bë “në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme” më 26 mars. Kenia bëhet shteti i 118 që ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Shteti i fundit që njohu pavarësinë ishte Izraeli në shkurt 2021.

“Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, shkroi Pacolli.

Pacolli mori meritat për njohjen e vendit nga Kenia, duke thënë se “që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet”.

“Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë”, tha ai.

Ai theksoi se presidenti i Kenias, William Ruto, i kishte premtuar atij njohjen e Kosovës qysh në vitin 2016

“Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë