Ngjarje

4 kërkesat e sindikatës së shëndetësisë, qeveria nis dialogun me mjekët

Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor mbajti një protestë këtë paradite në QSUT për 4 kërkesat që i kishte drejtuar qeverisë, ndërsa një përfaqësi e tyre zhvilluan një takim dy orësh në kryeministri me Ministren Ogerta Manastirliu.

Katër kërkesat e sindikatës janë:  

1-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbasin jetën në këtë luftë.
2-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme.
3-Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit.
4-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit.

Kirurgu Ibrahim Bruka tha para gazetarëve në QSUT se “Sapo morëm lajmin që dhe kryeministri dhe Ministrja nuk kanë pranuar të takohen me përfaqësinë e sindikatës, por kanë lënë këshilltarët në dispozicion të tyre. Ky është një mashtrim i madh që i kanë bërë sindikatës. Besoj që do mblidhet këshilli koordinativ dhe do vendosë për më tutje. Sot është një orëshe protesta më pas do merret vendim nga këshilli”, deklaroi kirurgu Bruka, i cili pas 30 minutash nga kjo dalje publike, figuroi në listën e kandidatëve të PD-së për deputetë në Qarkun e Kukësit.

Por nga mjediset e kryeministrisë, doli për gazetarët Ministrja Manastirliu dhe përfaqësuesi i Sindikatës, mjeku Gentian Stroni. Ky i fundit tha se kërkesat e tyre janë vlerësuar të drejta nga ana e qeverisë dhe se javës tjetër tha ai do të ngrihen grupet e punës.


Ministrja Manastirliu dhe përfaqësuesi i Sindikatës, mjeku Stroni duke dalë nga Kryeministria

“Ajo që ne bëmë ishte që hodhëm bazat e para të një bashkëpunimi dhe krijuam një kalendar për kërkesat. Duke filluar nga java që vjen ne do të kemi grupet tona të punës që janë nga sindikata dhe pjesa qeveritare, për të arritur në përfundimet që ne do të donim të kishim. Ajo që është për tu vlerësuar është fakti që nga pala qeveritare u pa e drejtë”, tha Stroni.

Ministrja Manastirliu deklaroi se është një rrugë e gjatë, ndërsa bëri të ditur se do t’i dëgjojnë dhe do ti marrin mendim mjekeve dhe ata do të vendosin për të për pikat që kërkojnë.

https://www.facebook.com/ProPacientit/posts/2437517306557483

“Ne kemi diskutuar shumë për pikat që përfaqësuesit e sindikatës kanë përcjellë. Kemi një rrugë të gjatë përpara për të adresuar në mënyrë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të gjitha kërkesat e sindikatës. Kemi vendosur që tryezat e punës të fillojnë nga java që vjen. Forca jonë më e madhe janë mjekët dhe infermierët. Do ti dëgjojmë do ti marrim mendim dhe ata do të vendosin për të ardhmen e tyre për pikat që ata kërkojnë.

Në takim me Ministren ishin mjekët Gentian Stroni, Fatos Olldashi, Altin Kuqo dhe Arjan Mezini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë