Filma

4 filma shqiptarë në Festivalin e Filmit Europian në Leçe

Katër filma shqiptarë do të prezantohen në Festivalin e Filmit Europian në Leçe në këtë edicion të 21-të.

Në këto kohë të pazakonta që po përjeton gjithë bota, kinematografia përmes prodhimeve më të mira filmike europianë synon të argëtojë e informojë publikun mbi situata ekzistenciale.

Nën këtë moto organizatorët e festivalit të filmit europian në Leçe kanë përzgjedhur për të shfaqur për publikun në këtë edicion të 21-të, edhe katër filma bashkëkohorë shqiptarë.

Filmi “Derë e hapur” i Florenc Papas do të jetë në garë, si një ndër filmat më të mirë europianë.

“Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit, “Dita zë fill” i Gentian Koçit dhe “Portreti i pambaruar i Klara Belinit” i Namik Ajazit do të jenë pjesë e seksionit Ballkanik gjatë netëve të këtij festivali.

Ndërkohë, filmi “Derë e hapur” i Florenc Papas, është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në OSCAR.

Festivali Europian i Filmit është një ngjarje kushtuar promovimit të kinemasë europiane dhe kulturës.

Ky edicion, i 21-ti, po zhvillohet në “Teatro Massimo”, në Leçe dhe do të vijojë deri më 7 nëntor.

Por ndryshe nga tradita e mëparshme, ky edicion është me kufizime për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Është organizuar rreth një konkursi zyrtar të filmave artistikë europianë me një premierë italiane dhe seksione që synojnë të përshkruajnë më të mirën e kinemasë europiane ku po konkurrojnë 12 filma europianë. Ai gjithashtu përmban filma të shkurtër dhe dokumentarë, dhe gjuhë të reja audiovizive. Vëmendje e mëtejshme i kushtohet studimit të kinemasë europiane përmes projekteve europiane.

Sikundër çdo vit, në qendër të festivalit është një nga mjeshtrat e mëdhenj të kinemasë europiane, kësaj here homazhet janë për regjisorin francez, Oliver Assayas.

Ndërsa, 30 vjet pas vdekjes do të kujtohet edhe Aldo Fabrizi, një prej figurave më karizmatike në kulturën dhe kinematografinë italiane. Kujtesa e Fabrizit është e ndarë në momente të ndryshme: si regjisor dhe si aktor.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë