Nga Gazeta Si- Rreth 1,600 studentë nga 35 shtete europiane dhe rreth 400 universitete janë mbledhur këto ditë në Tiranë për një event të veçantë sportiv universitar, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Një aktivitet me një pjesëmarrje të tillë ndërkombëtare, që për vendin tonë është shumë më tepër se një kompeticion sportiv.
Është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar Shqipërinë përpara mijëra të rinjve europianë dhe përfaqësuesve të universiteteve të huaja. Gjermania, Franca dhe Anglia, për shembull, kanë sjellë secila rreth 15 universitete. Për disa ditë, Tirana është në qendër të vëmendjes së një pjese të mirë të botës universitare europiane.
Por pikërisht në ditën kur eventi ka nisur, kur delegacionet e huaja janë në Tiranë dhe kur Shqipëria ka një mundësi të artë për të treguar veten, bie në sy mungesa e përfaqësimit institucional. Asnjë ministër shqiptar nuk është parë i pranishëm në këtë aktivitet.
Deri më tani, institucionet janë mjaftuar me një njoftim të shkurtër të Blendi Gonxhes, ministër i turizmit, dy ditë përpara nisjes së eventit e asgjë më shumë.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro nuk ka reaguar ende.
Dhe kjo nuk është një mungesë dosido. Është pikërisht ministria që ka në fushën e saj arsimin, studentët dhe sportin universitar. Në një ditë kur Tirana pret qindra universitete europiane dhe mijëra studentë të huaj, prania e ministres do të duhej të ishte minimumi institucional.
Dhe, në një kohë kur Shqipëria shpenzon jo pak për t’u promovuar jashtë vendit, një event që sjell vetë në Tiranë mijëra studentë, qindra universitete dhe dhjetëra shtete europiane nuk shfrytëzohet si një mundësi reale për promovimin e vendit.
Sepse këta studentë nuk do të shohin vetëm palestrat dhe fushat sportive. Ata do të shohin Tiranën, do të qëndrojnë në hotele, do të konsumojnë në bizneset shqiptare dhe do të largohen me një përshtypje për Shqipërinë. Shumë prej tyre mund të jenë nesër turistë, studentë apo partnerë të universiteteve shqiptare.
Ky është pikërisht lloji i eventit që një shtet duhet ta shfrytëzojë deri në fund. Një pritje zyrtare, një prani e ministrave, një prezantim i Shqipërisë dhe i universiteteve tona do të kishin dhënë një tjetër mesazh.
Kjo është reklamë që nuk blihet me miliona. Kjo reklamë erdhi vetë në Shqipëri.
Dhe pikërisht kur duhej të ishim ne ata që do t’i prisnim, do t’u tregonim vendin dhe do ta shfrytëzonim këtë mundësi, ministrat tanë munguan.
Shqipëria kërkon çdo ditë më shumë turistë, më shumë studentë të huaj, më shumë lidhje universitare dhe më shumë vëmendje ndërkombëtare.
Por në ditën e nisjes, kur Shqipëria kishte në Tiranë një reklamë të jashtëzakonshme për veten, ministrat munguan.
35 shtete dhe 400 universitete erdhën në Shqipëri. Pyetja është: pse Shqipëria nuk ishte aty për t’i mirëpritur?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje