Arsim

30 mijë maturantë nisin provimet e maturës (ndryshimet e reja për 2023)

Nga Gazeta Si – Rreth 30 mijë maturantë nisin këtë të enjte provimet e maturës shtetërore 2023 me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj.

Ekspertët kanë hartuar tashmë përmbajtjen e tezës së provimit të gjuhës së huaj që do të zhvillohet në anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, si dhe turqisht (sipas gjuhës që maturantët kanë ndjekur gjatë studimeve të shkollës së mesme).

Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve, maturanti duhet të paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara orarit zyrtar të përcaktuar për zhvillimin e testimit. Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në 12:30.

Këtë vit, provimet e maturës do të zhvillohen me ndryshimet e reja të bëra për 2023.

Në ndryshim nga maturat e viteve të shkuara, për të pasur një mbarëvajtje sa më të mirë të provimeve, si dhe për të shmangur abuzimet që mund të bëhen me procesin e administrimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që këtë vit provimet nuk do të zhvillohen me nëpër klasa dhe ambiente të vogla. Për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje, si ambiente provimi janë zgjedhur sallat e mëdha. Mbi 7800 mësues janë angazhuar për të monitoruar provimet e Maturës Shtetërore të cilat këtë vit do të zhvillohen kryesisht në palestra dhe në korridoret e shkollave.

Për provimet e këtij viti është vendosur që të hiqet fleta e përgjigjeve. Kështu maturantët do të mund të plotësojnë përgjigjet e sakta direkt në tezën e provimit dhe jo më në fletën e përgjigjeve, sikundër ka ndodhur deri në maturën e vitit të shkuar. Sipas ekspertëve, është vlerësuar se plotësimi edhe i kësaj flete merr më shumë kohë për maturantët, ndërkohë që shton riskun për më shumë gabime. Duke hequr plotësimin e kësaj flete, maturanti ka më shumë kohë në dispozicion për të bërë plotësimin e duhur të përgjigjes direkt në test.

Për të gjitha provimet, ato të detyruara dhe lëndët me zgjedhje, maturantët do të kenë mundësi që jo vetëm të kërkojnë kopjen e korrigjuar të testit, por edhe të bëjnë rivlerësimin e tij, në rastet kur do të jenë të pakënaqur me notat e marra.

Gjithashtu, maturantët me aftësi të kufizuara do të kenë teza të veçanta. Gjithsej janë 170 maturantë me aftësi ndryshe.

Si çdo vit, një maturant përjashtohet nëse përdor telefon gjatë provimit, ndryshon vendin që i është caktuar, merr ose jep informacione apo komunikon me të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit apo refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë