Nga Gazeta Si - Në fund të janarit, Gjykata Kushtetuese kërkoi nga qeveria që të ndryshojë ligjin për studentët e mjekësisë me arsyetimin se afati 5-vjeçar për të punuar me detyrim në Shqipëri është i rëndë dhe jo proporcional.
Kushtetuesja kërkoi që të ulej numri i viteve që studentët janë të detyruar të qëndrojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve dhe ndryshimet janë pasqyruar në ndryshimet që janë bërë në ligj, hedhur për konsultim publik.
Kështu, studentët e vitit të parë tashmë janë të detyruar të qëndrojnë në Shqipëri për 3 vite, jo 5 vite.
Studentët e vitit të dytë e deri në vitin e katërt do qëndrojnë në Shqipëri për 2 vite, nga 3 që ishin në ligjin fillestar.
LEXO EDHE:
- Punë me detyrim pas diplomës për studentët e Mjekësisë/ Kushtetuesja: Të ndryshojë ligji! Afati 5-vjeçar është i rëndë
- Vendimi i Kushtetueses për mjekësinë, studentët: Është një fitore e plotë. Jemi gati të mbushim sheshet nëse cënohemi përsëri
Ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë do qëndrojnë në vend për 1 vit, në ndryshim nga 2 vite që ishte më parë.
Gjithashtu ka pasur ndryshime edhe në punësimin e studentëve pas përfundimit të studimeve.
Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 muaj, jo më brenda 1 viti që ishte, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 mujore në institucionet shëndetësore publike. Në rast se nuk plotësohet asnjë nga këto brenda 9 muajve, studentët kanë të drejtë të tërheqin diplomën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.