Nga Gazeta "SI"- Numri i azilkërkueseve shqiptarë që kanë aplikuar për herë të parë në vendet e Europës, gjatë tremujorit të parë 2022, arriti në 2.900, ku vetëm për marsin ishin 970 aplikim. Numër në rritje nga e njëjta periudhë e një viti më parë, por më i ulët se tremujori i tretë i vitit 2021, kur u shënua dhe vrulli më i madh i largimit të shqiptarëve drejt vendeve të huaja, 1.800 në muajin shtator.
Rreth 50% e aplikimeve në total ishin në Francë (për janar-mars 2022), e ndjekur nga Gjermania, me 23%.
Në total për vitin 2021, numri i azilkërkuesëve shqiptarë u dyfishua nga 2020-a, duke arritur në shifrën e 11 mijë qytetarëve.
Shqipëria vazhdon të qëndrojë në pozicionin e 15-të të Top 30 vendeve me më shumë azilkërkues në Europë, në mesin e vendeve afrikane, këtë herë është shtuar dhe Ukraina, nga ku nisën lëvizjet që në fund të vitit 2021.
Gjatë vitit të shkuar vihet re dhe rritja e moshës së azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së, ku Eurostat tregon se janë të grupmoshës 35-64 vjeç.
Ndërkohë, 70 nga 11 mijë azilkërkuesit nga Shqipëria, kanë qenë të mitur nën 17 vjeç të pa shoqëruar.
Vendet e preferuara për to ishin Gjermania, Italia dhe Belgjika.
Publikimi i Eurostat, për ditën Botërore të Refugjatëve vë në fokus Ukrainën. Azilkërkuesit nga Ukraina në vendet e BE-së kanë kaluar edhe ata të Afganistanit dhe Sirisë që mbanin gjithmonë vendin e parë. Mbi 15 mijë ukrainas kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së gjatë tremujorit të parë 2022.
3% e tyre janë minorenë të pa shoqëruar.
Ukrainasit kanë kërkuar azil në vendet si republika Çeke dhe Lihtenshtejn.
Për këtë periudhë, në të gjithë vendet e BE, u regjistruan 14.135 azilkërkues, 19% e të cilëve synonte Gjermaninë, 15% Spanjën, 14% Francën dhe 8% Italinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.