Teknologji dhe Inovacion

3 drejtues në 3 ditë, zëvendësohet shqiptarja Mira Murati. Çfarë po ndodh me OpenAI

Emmett Shear (ish-drejtuesi i Twitch) është vënë në krye të OpenAI. Kështu raportojnë ditën e sotme mediat e huaja. Kjo lëvizje vjen pasi shqiptarja nga Vlora, Mira Murati u zgjodh të Premten pasdite si CEO e përkohshme, fill pas shkarkimit të Sam Altman nga bordi i OpenAI.

Për 3 ditë, udhëheqja e kompanisë ka kaluar në 3 persona të ndryshëm. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, CEO i sapozgjedhur, Shear shkruan se i është besuar posti i një prej kompanive më të rëndësishme në botë dhe se do bëjë gjithçka për ta fuqizuar.

Ai ka theksuar po ashtu planin e tij me 3 pika për 30 ditët e ardhshme, që nga punësimi i një hetuesi të pavarur për të gjithë procesin e punës në kompani e deri te reformimi i plotë i menaxhimit dhe skuadrës drejtuese për rezultate të frytshme në vijim.

Para se të merrte timonin e OpenAI përkohësisht, Mira Murati ishte drejtoresha e teknologjisë në këtë kompani të madhe. Sipas mediave të huaja, Murati bashkë me punonjës të tjerë të kësaj kompanie kundërshtuan shkarkimin e CEO-s së parë Altman. Madje dhe investitorë të rëndësishëm të Microsoft kërkuan që Altman të kthehej në kompani si shef ekzekutiv.

Këto 3 ditë kanë qenë jo të mira për OpenAI duke qenë se nuk dihet se sa do e mbështesin investitorët drejtuesin e ri, ndërkohë që nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me Mira Muratin.

Pasi doli lajmi për Shear, Murati bëri një postim në rrjetin social X, duke thënë vetëm “OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e vet!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë