Njerez

26 % më shumë vdekje tre muajt pas karantinës, por mund të jenë edhe më shumë

Numri në rritje i vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19 ka reflektuar në treguesit demografikë të Shqipërisë.

Të dhënat e INSTAT flasin për rritje të numrit të vdekjeve në tremujorin e tretë të vitit me 25,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e tretë në Shqipëri janë larguar nga jeta 6294 persona, por sipas INSTAT mund të jenë edhe më shumë, për shkak se situata e krijuar nga COVID-19 nuk ka mundësuar regjistrimin në Gjendjen Civile si të vdekjeve, ashtu edhe të lindjeve.

Në tremujorin e tretë 2020, në të dymbëdhjetë qarqet e vendit shënohet rritje e numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në tremujorin e tretë 2020, numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 138 vdekje, ndërsa ai më i lartë në qarkun e Tiranës, me 1.706 vdekje. Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 e ka qarku i Vlorës, me 2,6 %, ndërsa rritjen më të madhe në përqindje e ka qarku i Lezhës, me 46,4 %.

Numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2020 është 7.386, duke shënuar një rënie me 4,6 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2019. Gjatë tremujorit të tretë 2020, numri i lindjeve tejkalon me 1.092 numrin e vdekjeve

Në tremujorin e tretë 2020, shtatë qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqe, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. Në tremujorin e tretë 2020, vlera më e lartë e shtesës natyrore ka qenë  në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 778 numrin e vdekjeve, ndërsa ajo më e vogël është në qarkun e Korçës, ku vdekjet tejkalojnë me 113 numrin e lindjeve.

Lindjet, në tremujorin e tretë 2020, vetëm një qark i vendit ka shënuar rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ndërsa në njëmbëdhjetë qarqet e tjera shënohet rënie. Në tremujorin e tretë 2020, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.484 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 143 lindje. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të tretë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 e ka qarku i Gjirokastrës me 17,2 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës, me 25,2 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë