Në Hungari gjenden të bllokuar 24 shqiptarë, të cilët nuk kanë se si të lëvizin drejt Shqipërisë. Ambasada Shqiptare të Budapest ka konfirmuar këtë fakt që 24 shqiptarë janë bllokuar në kryeqytetin hungarez, shtetas që kanë ardhur për motive të ndryshme në Hungari. Gazeta “Si” kontaktoi me Ambasadën Shqiptare, e cila konfirmoi se këta persona janë kontaktuar dhe se të enjten do të kthehen në Shqipëri. Gjithashtu Ambasada bëri të ditur për Gazetën “Si” se një prej shtetasve ka pasur temperaturë dhe se për këtë, është vendosur që t’i bëhet testi nëse është i prekur ose jo me koronavirus. “Nga këta njeri ka pasur temperaturë dhe rezultatet e testit dalin nesër (të martën). Të tjerët kanë prerë biletat dhe udhëtojnë të enjten me WizzAir për në Tiranë”, shprehen punonjësit e Ambasadës nëpërmjet këtij komunikimi online me Gazetën “Si”.

Ambasada mbetet e rezervuar për të dhënë ndonjë të dhënë detaj se nga cilat qytete janë shqiptarët e bllokuar dhe thekson se udhëtimi i tyre nuk ka qenë për qëllime turizmi. Në rrjetet sociale, nga faqja e saj zyrtare Ambasada Shqiptare njofton se deri më sot, numri i të prekurve në Hungari ka shkuar në 32, njëri prej të cilëve me pasoja fatale. Sipas informacioneve zyrtare, nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me Covid-19 të ndonjë shtetasi shqiptar në Hungari.
“Përveç masave të marra nga autoritetet hungareze, kjo gjendje e jashtëzakonshme kërkon që secili prej nesh të bëjë kujdes maksimal duke respektuar me rigorozitet të gjitha këshillat e autoriteteve vendase. Lutemi për evitimin e ambienteve me shumë njerëz, larjen e duarve sa më shpesh, shmangien e shtrëngimit të duarve me të tjerët, si të vetmet mënyra për të ruajtur veten dhe personat rreth nesh. Autoritetet hungareze kanë ndaluar hyrjen në vend të personave nga Italia, Kina, Koreja e Jugut, Irani dhe Izraeli. Gjithashtu janë ndaluar dhe trenat e pasagjerëve me Slloveninë, Kroacinë dhe Ukrainën”, thuhet në këtë njoftim.
Në të njëjtën kohë, sipas Ambasadës, udhëtimi tokësor nga Hungaria në Shqipëri është i pamundur. Fluturimet ajrore Budapest-Tiranë vazhdojnë, por mund të anulohen në çdo moment. Ambasada në këtë situatë, sugjeron shmangien e udhëtimeve.
“Shtetasit shqiptarë që gjenden në Hungari dhe duhet domosdoshmërisht të kthehen në Shqipëri duhet të marrin vetë masat për të gjetur sa më parë biletat e kthimit, përpara se shtetet në territorin e të cilit gjenden të mbyllin kufinjte. Ata duhet të gjejnë rrugën më të shpejtë, më të drejpërdrejtë. Shtetasit shqiptarë duhet të vihen në kontakt të menjëhershëm me familjarët në Shqiperi dhe me agjencine e tyre të udhëtimit për të gjetur mundësinë e kthimit. Agjencitë e udhëtimeve, kudo qofshin, kanë informacionin më të përditësuar në lidhje me rrugët e mundshme dhe linjat që mund të përdoren. Situata ndryshon nga çasti në çast, prandaj nuk duhet pritur për të vepruar”, thekson Ambasada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.