Dy ishin kryelajmet që prodhoi dita e gjashtë pas tërmetit që gjunjëzoi Durrësin dhe Shqipërinë. I pari ishte dorëheqja e kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako dhe i dyti ndasitë e shpërfaqura mes Qeverisë, ndërtuesve dhe shoqatave bamirëse sa i përket menaxhimit të fondeve për dëmet e tërmetit në mbledhjen e parë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit.
E diela nisi me mbledhjen e qeverisë, ku u përditësuan të dhënat e shifrat mbi tragjedinë që mori me vetë jetë njërëzore dhe mbolli shkatërrim në zona të tëra në Durrës, Tiranë e Lezhë. Fatmirësisht numri i personave që humbën jetën mbeti 51, aq sa u ndal ditën e shtunë, por shifra e dëmeve materiale sa vjen e perceptohet më e lartë.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Edi Rama përsëriti thirrjen për t’u ulur në tryezë me opozitën. Ftesa e tij ishte që Lulzim Basha t’i bashkohej Komitetit Kombëtar të Rindërtimit në tryezën e para që ishte caktuar të mblidhej në pas mesditës. Ai e cilësoi si nevojë për qytetarët shqiptarë, të cilët në këto ditë të vështira duhet të kenë para syve shembullin e një bashkëpunimi mes palëve, e cila nuk ka pse të cilësohet si propagandë.
Rama njoftoi se gjithashtu aktivizimin e fondit prej 1 mln lekësh për familjet e viktimave, ndërsa fëmijët dhe pensionistët në familjet e tyre do të marrin shpërblimin e përcaktuar në mbledhjen e qeverisë ditën e shtunë, që ishte një bursë dhe pension të veçantë, edhe për muajin nëntor. Në këtë mbledhje, ministrja e Arsimit, Besa Shahini njoftoi se të hënën rinis mësimi në të gjithë vendin, me përjashtim të qarqeve Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Në Durrës procesi mësimor do të qëndrojë i pezulluar deri të paktën më 9 dhjetor, ndërsa në Tiranë dhe Lezhë deri më 5 dhjetor.
Pas mbledhjes së Qeverisë, tashmë ish-kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako njoftoi përmes rrjeteve sociale dorëhqejen. Akti pasoi dy deklarata të pavend që Sako bëri ditën e shtunë, ku në të parën tha se “të pastrehët po qëndronin në hotele me 5 yje, që në kushte normale nuk do të kishin para për t’i paguar”, ndërsa në të dytën tha se “duhet të jemi të kënaqur me numrin e viktimave, pasi të tilla tërmete mund të shkaktojnë deri në 1 mijë të vdekur”.
Pozionin e saj e refuzoi edhe nënkryetarja e Bashkisë së Durrësit, Etleva Kondi. Ajo njoftoi dorëheqjen nga ky pozicion, duke i kaluar ccelësat e bashkisë i kaluan Zhyljen Varfajt. PD e Durrësit reagoi për këto lëvizje duke akuzuar se bashkia po i lihej në dorë njeriut të tenderave të Vangjush Dakos.
Kryeministri Edi Rama daljet në terren për këtë ditë i nisi nga fshati i Kasharit. Ai premtoi se ccështja e strehimit do të zgjidhej për banorët me shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa tha se sfida e këtyre ditëve është mposhtja e frikës dhe hyrja nëpër banesa e atyre qytetarëve për të cilët grupet e ekspertëve kanë përcaktuar se nuk ka rrezik.
Të njëjtat mesazhe kreu i Qeverisë përcolli më vonë edhe në zonën e ish-Kënetës dhe në zonën e Plazhit në Durrës, ku ndoqi nga afër edhe punën e grupeve të ekspertëve të huaj e shqiptarë që po verifikojnë në terren sigurinë e pallateve.
Në orën 15:00, Rama mblodhi Komitetin Kombëtar të Rindërtimit i përbarë nga Qeveria, përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave bamirëse, arkitektë, inxhinierë dhe ndërtues. Rama kërkoi bashkimin e fondeve në një zë të vetëm që do të menaxhohet nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, por hasi në kundërshtimin e përfaqësuesve të shoqërisë civile, si Elvis Nacci dhe Marin Mema.
Pasdite, Kryeministri u rikthye në terren, duke u ndalur në një qendër sociale të ngritur në Tiranë për t’u ardhur në ndihmë familjeve të rënduara psikologjikisht dhe më vonë pa nga afër dëmet e tërmetit në Alias të Kamzës.
Pas kësaj, sinjali i ERTV-së në Facebook transmetoi një vizitë të Kryeministrit në një hotel të Durrësit ku janë strehuar një grup të dëmtuarish nga tërmeti. Rama tha se në këtë ndërtesë po fashitej frika dhe po u shërbehej të strehuarve me të njëjtin shërbim si turistëve gjermanë. Ditën e takimeve me qytetarët e mbylli me anëtarët e mbijetuar të një familjeje që u strehuan tek banesat sociale në Tiranë.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha u ndal vetëm në zonën e ish-Kombinatit, ku tërmeti ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, madje i mori jetën edhe një 20-vjeccareje. Pasdite, kreu i demokratëve mblodhi një grup ekspertësh për t’u këshilluar me ta për masat që duhen marrë. Këto këshilla, shpjegon më tej kreu i PD-së, do të jenë baza e propozimeve të opozitës për daljen nga kjo situatë.
“Propozimet e tyre do të jenë baza për propozimet e Partisë Demokratike për përballimin e situatës. Shqipëria ka burime të mjaftueshme njerëzore për të evidentuar problematikat dhe për të dhënë zgjidhje, por kërkohet koordinim, mbështetje dhe financim”, deklaron ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.