Ngjarje

22 amforat në detin Jon mund të ndryshojnë historinë antike të Shqipërisë

Një projekt i përbashkët shqiptaro-amerikan për arkeologjinë nënujore ka arritur të zbulojë disa amfora që janë më shumë se 2500 vjeçare. Zbulimi është bërë në thellësitë e detit Jon dhe objektet e lashta janë lokalizuar në anën perëndimore të gadishullit të Karaburunit.

Kërkuesit e Fondacionit RPM thanë se janë 22 amfora të zbuluara me dy veshë të gjatë që besohet të jenë përdorur për verë dhe vaj. Amforat janë të përmasave te mëdha, me vëllim madh nga 40 deri në 60 cm të thella.

Arkeologu, Mateusz Polakowski tha se amforat të tipit korinthiane janë përmbytur në mes shekujve 7 dhe 5 para erës sonë. “Nëse do të gjejmë mbetje të anijes së përmbytur do të ishte fantastike, pasi ajo do të bëhej anija më e vjetër e zbuluar në brigjet shqiptare.”- thotë Polakowski.

Ndërsa përgjegjësi i ekspeditës, James Goold e konsideroi këtë sit arkeologjik nënujor si, “Një nga më të rëndësishmit që është zbuluar dhe që do të ketë një impakt shumë të madhe për të mësuar më shumë për këtë periudhë”.

Arkeologu shqiptar, Nertan Ceka tha se të njëjta amfora më herët janë zbuluar në rrënojat e qyteteve të Apolonisë dhe të Durrësit, por edhe në të tjera site përgjatë gjithë bregdetit shqiptar.

Që nga viti 2004, Fondacioni RPM ka skanuar dy detet që lagin Shqipërinë për anije të vjetra dhe moderne dhe plani është për hapjen e një muzeu nënujor në Shqipëri.

"Kjo sigurisht do të ishte një pikënisje e mrekullueshme për një program kombëtar rreth të cilit do të krijohet një muze dhe do të tregonte rolin e Shqipërisë në antikitet", tha Goold, citon Gazeta Si.

Ceka tha se autoritetet shqiptare janë duke planifikuar një projekt të ri pesëvjeçar në bashkëpunim me RPM dhe Institutin e Arkeologjisë Nënujore, me bazë në Teksas, për të eksploruar mundësitë e eksplorimit të këtyre anijeve të mbytura. Por ata thonë se ky proces është financiarisht i shtrenjtë dhe shkencërisht shumë delikat.

Hulumtimi në Shqipëri që deri më tani ka zbuluar 28 amfora, në të gjitha rrugët detare që lidhnin qytetin antik të Butrintit me Durrësin e Apoloninë dhe planifikon të eksplorojë edhe në veri të Durrësit, ku besohet se numri i amforave mund të jetë akoma dhe më i lartë.

Prania e Fondacionit RPM në 12 vitet e fundit ka qenë një "hap i madh" për shkencën shqiptare të arkeologjisë nënujore, sipas Auron Tares."Ne kemi zbuluar jo vetëm anije të lashta, por edhe një numër të mirë të anijeve të mbytura gjatë të Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore që hedh dritë mbi një kapitull të panjohur të historisë sonë", tha Tare.

Shqipëria po përpiqet të mbrojë dhe të përfitojë nga trashëgimia e saj e pasur nënujore, me fonde të pakta për ruajtjen e saj nga qeveria, një nga vendet më të varfëra të Europës, shkruan New York Times.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë