Shendet

21 raste me variantin “Delta” në 10 qytete të Shqipërisë, 6 prej tyre të vaksinuar

Komiteti Teknik i Ekspertëve, edhe pse ka konfirmuar hyrjen e variantit “Delta” në Shqipëri, ka vendosur që niveli i masave anti-Covid të mos ndryshojë.

Në një konferencë urgjente pas zyrtarizimit të variantit Delta të Covid-19 në Shqipëri, anëtarja e Komitetit të Ekspertëve, Albana Fico, tha se në laboratorin në Berlin ishin dërguar 21 mostra, të cilat kanë rezultuar pozitive me variantin Delta.

Drejtoresha e ISHP-së, tha se rastet me këtë variant të Covid-it, janë konfirmuar në 10 qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora.

“Ka ardhur përgjigjja nga Berlini për variantin Delta. Dua t’iu sjell në vëmendje situatën epidemiologjike në vend, që ka shënuar disa rritje në raport me incidencën, që është 10 për 100 mijë banorë. Mesatarja ditore është rritur. Numri total i rasteve rezulton i rritur, numri i bashkive që janë përfshirë nga rastet e reja ka shkuar në 10. Në Infektiv janë të shtruar 9 pacientë, fatmirësisht nuk kemi pasur raste fatalitetesh. Vijojnë të shtohen numrat e personave të vaksinuar me dy dozat e vaksinës”, tha Fico.

“Sa i përket variantit Delta, dyshimi ynë i arsyeshëm është konfirmuar tashmë. Dërguam 21 mostra kimike, që kanë rezultuar pozitivë. Këto mostra i kemi vënë mënjan për periudhën 1 qershor-12 korrik, kur filluam të shohim sinjalet e pazakonta. E rëndësishme është që këto mostra i kemi gjetur në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora. E gjithë kjo përpjekje ka një vlerë të veçantë, që është vaksinimi i shoqëruar me masat që janë në fuqi dhe që duhen zbatuar nga qytetarët. Qarkullimi i këtij varianti tregon se ne nuk e kemi përfunduar situatën, ndaj duhet që personat që kanë simptoma, të karantinohen. Të gjithë ata raste që kanë nevojë për ndihmë të shpejtë mjekësore, të telefonojnë në numrin e urgjencës 127”, – tha Albana Fico.

Ndërkohë, shefja e infektivit në ISHP, Siva Bino, tha se mes 21 rasteve me variantin Delta, 6 kanë qenë të vaksinuar. Dy kanë qenë me Astrazeneca dhe të vaksinuar në Britani, dy me Pfizer vetëm me nga një dozë dhe 2 raste me kinezen Coronavac.

Ndërkohë zonja Bino, tha se dy raste me Delta kanë ardhur nga Britania e Madhe, dy nga Gjermania dhe nga një nga Spanja, Çekia, Maqedonia e Veriut dhe Pakistani, ky i fundit pa shenja klinike.  Ajo theksoi se 13 raste të variantit ‘Delta”, kanë shkaktuar vatra familje në vend.

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka thënë se kampionët që u dërguan në Berlin dhe që u konfirmuan se i përkasin variantit Delta, janë marrë nga disa rajone të vendit që tregon se virusi qarkullon gjerësisht në Shqipëri.

“U vu re që ka një rritje të lehtë të rasteve, shtrimet në spital vazhdojnë në nivele të qëndrueshme dhe më të ulëta në krahasim me rastet e reja dhe vazhdon që të mbetet numri i rasteve të shtruar dhe që kanë nevojë për kujdes spitalor janë të pavaksinuar. Rastet po rriten te personat që nuk janë vaksinuar, – shtoi Rakacolli. – Komiteti i Ekspertëve, mendon se pavarësisht se është vërtetuar dyshimi për variantin Delta, mbrojtja është njëlloj dhe niveli i masave nuk ka asnjë arsye që të ndryshojë. Masat do të jenë po ato që kanë qenë më parë”.

Profesori Dhimitër Kraja, pjesw e Komitetit tw Ekspertwve, u shpreh se në spitalin COVID-1, janë 9 pacientë. “Në spitalin COVID-1 ndodhen 9 pacientë, gjendja e tyre është e kënaqshme pavarësisht se ka diferenca. Nuk ka pacientë që janë vaksinuar më parë apo kanë kaluar sëmundjen, me përjashtim të një rasti, që ka bërë vetëm një vaksinë dhe atë e ka ndërprerë, nuk e ka bërë dozën e dytë. Mosha vazhdon që të jetë mbi 69-72 vjeç. Situata është e mirë, nuk kemi pasur raste shumë të rënda, nuk ka pasur vdekje”.

Pavarësisht kësaj situate, Komiteti Teknik i Ekspertëve la të pandryshuara masat anti-Covid në fuqi, duke apeluar që t’i respektojnë ato me rigorozitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë