Politike

20 vjetori i sulmeve terroriste, Rama, Meta dhe Basha ndajnë një mesazh

Të tre iu referuan vlerave të lirisë dhe demokracisë në 20 vjetorin e sulmeve terroriste ne SHBA.

Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta kanë përcjellë nga një koment të shkurtër  

“20 vjet më parë, 11 shtatori hyri në histori si dita e zezë e sulmit të egër të urrejtjes barbare kundër qytetërimit tonë, duke goditur mizorisht simbolin e tij, Amerikën, mu në zemrën e saj. Sot e përgjithmonë, 11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Kryedemokrati, Lulzim Basha përcjell thuajse të njëjtën një mesazh.

“Dy dekada më parë, bota u trondit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit jo thjesht ndaj SHBA, por ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës. I bashkohemi përkujtimit të viktimave të terrorizmit, dhe solidaritetit me familjarët e tyre dhe kombin mik amerikan.

Ne qëndrojmë në krah të partnerit strategjik të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, që na bashkojnë në aleancën dhe miqësinë e vecantë mes dy kombeve tona”, shkruan Basha.

Edhe Presidenti Ilir Meta shkruan se, “Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq”.

“Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë