Teknologji dhe Inovacion

20-vjeçarja Xhulia Kurti krijon aplikacionin që do të na mundësojë të dërgojmë të dhëna edhe pa Wi-Fi: Si më lindi ideja…

Nga Sorgena Leka - Në një botë ku zhvillimi dhe pandemia e kanë kthyer teknologjinë një ndër gjërat më të rëndësishme në jetën e çdo njeriu, të mbesësh pa Wi-Fi është bërë një “fatkeqësi”.

Xhulia Kurti, 20-vjecarja studente në Universitetin Aleksander Moisiu Durrës ka menduar të zhdukë këtë fatkeqësi. Nëpërmjet aplikacionit të saj të quajtur Gears, njerëzit do të mund të dërgojnë të dhëna si foto, video, mesazhe dhe lokacion pa pasur nevojën e WiFi-së.

Në konkursin IAA mobilitython, i cili u zhvillua në Mynih, nën kujdesin e Ministrisë Gjermane të Teknologjisë dhe Infrastrukturës, Kurti zuri vendin e dytë me këtë aplikacion. Ky është konkursi më i madh i kësaj natyre në fushën infrastrukturore në Gjermani ku ka pjesëmarrës nga e gjithë bota.

Është shumë e thjeshtë: Në momentin kur mbetemi pa WiFi dhe na duhet të përdorim një program\aplikacion çfarëdo, prototipi i Xhulias do të mundësojë lidhjen përmes sistemit server të produktit që tashmë ka prodhuar.

“Ideja më erdhi shumë natyrshëm për shkak të disa materialeve qe kam lexuar gjatë kohëve të fundit për komunikimin e kompjuterëve midis njëri-tjetrit dhe lidhjeve të ndryshme që mund të zhvillohen rreth tyre”, shpjegon Kurti për Gazetasi.al e cila shton se në fillim hodhi disa ide në letër të cilat morën jetë vetëm falë konkursit në të cilin mori pjesë.

Xhulia Kurti

Ajo e projektoi si produkt të shoqëruar me aplikacion dhe tani është në zhvillim të produktit, pra për të përmirësuar pjesën hardware.

Kurti rastësisht gjeti informacionin online për konkursin gjerman dhe priti me padurim për momentin kur u hapën aplikimet.

Ishte një eksperiencë e paharrueshme për Kurtin e cila dëshiron shumë që pjesë e projektit të jenë sponsora shqiptarë në mënyrë që “kjo shpikje të qëndrojë brenda trojeve shqiptare”.

Aplikacioni do të përdoret në device me API me të lartë se 24 dhe do të mundësoj dërgesën e informacionit te përdoruesit pa nevojën e WiFi.

Kurti tregon se aplikacioni do të jetë i mundur në fund te  muajit tetor dhe më pas do t’i përkushtohet një tjetër projekti, akoma më të madh.

“Projekti im i ardhshëm do jetë rreth teknologjisë së internetit 5G në Shqipëri pasi do doja shumë që edhe ne si vend të jemi në një nga vendet të cilat e aplikojnë këtë teknologji”, thotë Kurti.

Mbështetësit më të mëdhenj të Kurtit janë padyshim familja e saj dhe për të bërë krenarë ato, për të dhënë kontributin e saj në Shqipëri dhe për të ndjekur pasionin, Kurti ka shumë ëndrra të cilat shohin një të ardhme, me ëndrrën e parë që zuri vendin e dytë në të gjithë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë