Mendim

19 vite pas 11 shtatorit, jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurtë

Në një vit kur pandemia e koronavirusit ka ndryshuar në shumë aspekte mënyrën tonë të jetesës, edhe përkujtimi i sulmeve të 11 shtatorit nuk mund të shpëtonte i pandryshuar. 19 vjetori i sulmeve terroriste që gjynjëzoi super fuqinë botërore, do të shënohet në një ceremoni të vogël pranë ish-Qendrës Botërore të Tregtisë, duke pezulluar traditën shumë vjeçare të të afërmve që lexojnë personalisht emrat e viktimave.

Nënpresidenti Mike Pence pritet të marrë pjesë në dy ceremoni përkujtime në Nju Jork, ndërsa Presidenti Donald Trump dhe kandidati demokrat Joe Biden planifikojnë të marrin pjesë në një ceremoni në Memorialin Kombëtar në Pensilvani.

Imazhi i 11 shtatorit si një ngjarje e veçantë në historinë moderne botërore, ndryshoi narracionin dhe qasjen e fuqive botërore drejt terrorizmit. Nga cilësimi si një problem lokal, terrorizmi u shndërrua në një fenomen global.

Por 19 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, bota gjendet në krizën më të madhe që pas Luftës së Dytë Botëtore, duke e bërë të qartë se po jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Pas rënies së Murit të Berlinit, Perëndimi sikur vendosi të pushojë. "Amerika i vuri vetes medaljen e "super-fuqisë". Ish-armiqtë mund të futeshin në klubin perëndimor, nëse iu përmbaheshin rregullave; ose ata zbrapseshin, anashkaloheshin nëse nuk e respektonin këtë", thotë politologu.

https://www.youtube.com/watch?v=ZfiiIS0kRcU&t=4s

Por pas fundit të Luftës së Ftohtë, SHBA-së i mungonte vullneti i veprimit, ndryshe nga epoka e pas Luftës së II Botërore. Atëherë Amerika krijoi me NATO-n, OKB-në, Bankën Botërore dhe strukturat e FMN-së, duke krijuar kështu një rend të ri botëror.

"Bill Clinton mbeti një politikan province - edhe pas largimit nga Arkansasi në Shtëpinë e Bardhë: Asnjë strukturë e re sigurie në sferën veriore të globit, as luftim efikas i varfërisë në jug, për mbrojtje të klimës as që bëhej fjalë, edhe në Lindjen e Mesme nuk u vendos paqja", thotë politologu i njohur, Francis Fukuyama.

Pastaj erdhi 11 Shtatori 2001, sulmi i parë në tokën amerikane që nga "Pearl Harbor": një sulm nga qielli si në kuptimin e drejtpërdrejtë edhe figurativ, që i gjeti amerikanët të papërgatitur, e i ka bërë më të pasigurte.

Përplasja e dy avionëve në Kullat Binjake, më 11 shtator të vitit 2001 ishin një tronditje e madhe jo vetëm për amerikanët, por për mbarë botën. Mbi 3 mijë njerëz humbën jetën, ndërkohë që sulmet lanë pas hidhërim, zi dhe miliarda dollarë dëme për ekonominë amerikane. Viktimat e sulmeve të përgjakshme terroriste ishin shtetas nga 70 vende të ndryshme të botës, në mesin e tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë. Sulmi në qiellin blu të Nju Jorkut u krye nga “Al Kaeda”. Vrasja  e mijëra të pafajshmëve ishte një sukses i madh për Osama bin Ladenit, por bindja se Amerika ishte dobësuar, ishte vetëm një iluzion. Ajo çfarë pasoi ishte fillimi i fushatës ajrore amerikane në Afganistan tetorin e vitit 2001.

Siç e ka shprehur ish-kreu i CIA-s dhe gjenerali David Petraeus "lufta kundër terrorit do të zgjaste me dekada".

Por a është fituar e ashtuquajtura ‘luftë globale kundër terrorizmit’?

Të dhënat globale mbi incidentet e lidhura me terrorin sugjerojnë se ‘po'-ja nuk mund të jetë përgjigje për asnjë prej këtyre pyetjeve. Bota ka pësuar më shumë akte të lidhura me terrorizmin në 16 vitet pas sulmeve të 11 shtatorit, sesa në 31 vitet para këtyre sulmeve

Të dhënat e siguruara nga Qendra për Monitorimin e Terrorizmit Global (GTD) tregojnë se midis viteve 1970 dhe 2017, bota pësoi të paktën 18 mijë sulme terroriste. Nëse e ndajmë këtë shifër para dhe pas sulmeve të 11 shtatorit zbulojmë se 59.7 për qind e këtyre sulmeve terroriste ndodhën pas 11 shtatorit.

Kjo do të thotë se mesatarisht, çdo ditë në të gjithë botën nga viti 2001 deri ne vitin 2017,  ka pasur 19 sulme terroriste.

Përveç rritjes së numrit të sulmeve terroriste, shifrat tregojnë edhe rritjen e numrit të personave të vrarë në incidente të lidhura me terrorizmin para dhe pas 11 shtatorit. Mes viteve 1970 dhe 2017, të paktën 40 mijë persona humbën jetën në sulme të lidhura me terrorzmin.

Sulmi terrorist i 11 shtatorit ishte sulmi më i madh në SHBA, por që nga viti 2001, Uashingtoni nuk ka pësuar sulm tjetër të përmasave të ngjashme. Në vend të kësaj, me krijimn e Shtetit Islamik terrorizmi goditi rëndë Lindjen e Mesme dhe kryeqytetet evropiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë