Lojëra me Dore

150 mijë euro lanë Tiranën jashtë Ligës Ballkanike

Sporti në Shqipëri dihet prej vitesh që nuk është në kohët e tij më të mira. Përveç futbollit, që duket sikur thith investime të rëndësishme nga bota e biznesit, sportet e tjera në vend janë në një krizë të thellë në kushtet e mbijetesës. Kjo gjendje e rëndë në sportet shqiptare doli në pah vetëm disa ditë më parë, ku kampionia e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Tirana hoqi dorë nga pjesëmarrja në Ligën Ballkanike të Basketbollit. Lajmi shkaktoi një habi të madhe në opinionin e gjerë publik, por për ata që jetojnë me problemet e këtij sporti nuk ishte një surpriza, por një gjë mëse e pritshme. Edhe pse mund të shikohet si një mundësi shumë e mirë për të treguar vlerat e tyre dhe të afirmojë basketbollistë të rinj vendas, skuadra bardheblu e kishte të pamundur pjesëmarrjen në këtë kompeticion.

Në një prononcim për Gazeta Si, Presidenti i Shoqatës se Basketbollit Tirana, Anxhelo Koleka ka hedhur dritë lidhur me këtë çështje. Që në krye të fjalës së tij, kur pyetet për këtë ngjarje, Koleka përgjigjet shkurt, “mungesa e financave”.

Sipas tij është e pamundur për ekipin që të shkojë në Ligën Ballkanike, pasi shpenzimet janë shumë të konsiderueshme për basketbollin shqiptar edhe pse për atë ndërkombëtarë shifra mund të konsiderohet qesharake.  Ai tregon se për një kohë të gjatë ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me biznesmenë të ndryshëm në vend për të marrë mbështetje, por ka qenë e pamundur. Sipas Anxhelo Koleka, interesi i bizneseve shqiptare për t’u reklamuar në basketboll është gati zero, pasi nuk shohin ndonjë përfitim që mund të merret pas.  Shifra që KB Tirana do duhej të bënte bashkë për të marrë pjesë në Ligën ballkanike është rreth 150 mijë euro, e cila nuk u arrit që të mblidhej dot. Presidenti i shoqatës se basketbollit Tirana  se në mundësitë e bashkisë së Tiranës, ky fond ishte i pamundur, pasi ky institucion do duhet të mendojë për kampionatin, aty ku është përgjegjës për trajtimin ushqimor të sportistëve. Sipas Kolekës KB Tirana rrezikonte seriozisht edhe një penalizim nga federata botërore e basketbollit, nëse do të shkonte një sinjalizim, por kjo gjë për fat të mirë është evituar.

Tirana në basketboll për meshkuj sezonin e shkuar mundi në play-off Teutën e Durrësit, e cila fitoi Kupën e Republikës, pikërisht përballë skuadrës bardheblu. Edhe në këtë sezon të ri skuadra e Tiranën mbetet një pretendentët kryesore për ta fituar kampionatin edhe pse rivalët, Teuta, Partizani apo Goga Basket janë forcuar së tepërmi. Prë këtë gjendje të nderë në sportin e basketbollit në vendin tonë, foli edhe vetë presidenti i FSHB-së, Avni Ponari. Për drejtuesin e kësaj federate nëse nuk ndërhyhet në krijimin e një ligji për sponsorizimet, ky sport dhe jo vetëm do të shkojë drejt degradimit.

Më herët alarmi për mungesën e investimeve dhe rrezikun për të mos marrë pjesë në kompeticionet ndërkombëtare u ngrit edhe në sportin e volejbollit. Ishte pikërisht presidenti i kësaj federate, Erlind Pëllumbi, që u shpreh se kombëtarja shqiptare në volejboll për femra dhe meshkuj, mund të mos merrte pjesë në eliminatoret e kampionatit europian, por kjo gjë për fat të mirë u zgjidh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë