Për Albin Kurtin ka filluar sot numërimi mbrapsht. Pas më shumë se 100 ditësh negociata të pasuksesshme me Lidhjen Demokratimë të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë sot përmes facebook-ut mandatin për formimin e qeverisë së re.
Pasi VV-ja dërgoi me shkrim nomimin e tij për kryeministër, presidenti Hashim Thaci ftoi Kurtin në presidencë për të marrë mandatin në orën 12.00, por kreu i VV-së nuk i shkoi.
Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Thacin t’i “dorëzojë” mandatin për kryeministër, të cilin e ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
“Dekreti hyn në fuqin në datën e nënshkrimit që sot”, shkruan Thaci, duke i vënë kështu kreut të Vetëvendosjes “litarin rreth fyti”. Kurti nuk i shkoi në takim presidentit, pasi nuk do të donte të ulej sërish krah tij pa një marrëveshje në xhep. Deri më tani formimi i qeverisë me LDK-në duket të ketë qënë një nga misionet më të vështira në karrierën e tij politike.
Me marrjen “dashje pa dashje” të mandatit për kryeministër, Kurti ka tanimë vetëm 15 ditë kohë që të arrijë marrëveshje për koalicionin qeveritar dhe të sigurojë shumicën e nevojshme për formim të qeverisë. Por sinjalet e deritanishme nuk kanë qenë aspak pozitive. Edhe pse thirrjet nga VV-ja për tu kthyer në tryezën e bisedimeve kanë qenë të shpeshta, nga selia e LDK-së nuk ka patur deri më tani asnjë lëvizje.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se kandidati për kryeministër, pas dekretimit nga Presidenti duhet të paraqes përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës, ku duhet të miratohet nga 61 deputetë. Albin Kurti ka kohë deri më 5 shkurt që të vulosë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ose të shkojë në seancë pa pasur votat që i duhen për të formuar qeverinë.
Kushtetua përcakton se në rast se Kurti nuk siguron këto vota, atëherë mandatin për formimin e qeverisë e merr partia e dytë, që në këtë rast është LDK. Nëse qeveria nuk zgjidhet as herën e dytë, atëherë Presidenti i Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë.
Ndërkohë që akrepat e orës kanë nisur sot rrotullimin mbrpasht, Albin Kurti ka treguar edhe njëherë hendekun me LDK-në me publikimin e video mesazhit të tretë. Duke folur në mënyë të prerë, ai ka sqaruar edhe njëherë se nuk do të pranojnë kushtin e LDK-së, për të shkarkuar Glauk Konjufcën, kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës.
Ai u shpreh se edhe pse është i hapur për gjetjen e kompromisit, qasja aktuale e LDK-së nuk është e duhura. “Kur na thonë kjo është marrëveshja, ‘merrë ose lerë ‘, është njësoj ikur të na thonë të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi ai.
LDK-ja e ka bërë të qartë deri më tani se nuk do të tërhiqet nga posti kreut të Kuvendit, ashtu siç nuk u tërhoq nga kërkesa për postin e presidentit.
Ditët e fundit LDK-ja dhe VV-ja i kanë dërgua njëra-tjetrës një sërë letrash publike, duke bërë publike propozimet e tyre.
Çfarë kërkon LDK-ja dhe çfarë kërkon VV-ja?
Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur skemën dhe kushtet e saj për formimin e qeverisë. Në një deklaratë zyrtare, LDK-ja deklaroi javën e kaluar se i ia ka dorëzuar me shkrim VV-së propozimin e saj për bashkëqeverisje.
Sipas draftit të bërë publik LDK kërkon që:
- LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Sipas saj, kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një post të lartë shtetër (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy poste të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin).
- Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
- a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
- b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
- Si rezultat i kësaj marrëveshje deri në zgjedhjen e Presidentit, VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri. Ndërkohë LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
- Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja, VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri. Ndërsa LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
Ky propozim i LDK-së hedh poshtë skemën e propozuar nga Kurti, i cili nuk pranon të “dorëzojë” postin e kryetarit të Kuvendit.
Në përpjekje për të arritur sa më parë një marrëveshje për formimin e qeverisë, Albin Kurti i ka propozuar Lidhjes Demokratike të Kosovës rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, duke i dhënë LDK-së gjashtë ministri, Vetëvendosjes pesë dhe minoriteteve tre.
Edhe pse ka rritur numrin e ministrive, Kurti duket se nuk është tërhequr nga posti i Kryetarit të Kuvendit, i cili edhe sipas skemës së re i takon LDK-së.
“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i dytë, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin VV-së”, thuhet në këtë propozim.
Ai ka ofruar që LDK të ketë zv,kryeministrin e parë, post që sipas raporteve do t’i shkojë Vjosa Osmanit, nënkryetarin e parë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë se LVV.
Kurti ka hapur po ashtu rrugë për çështjen më të rëndësishme për LDK-në: postin e Presidentit. Ai është pajtuar që Mustafa të propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret kushtetuese.
“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjidhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim. Ndërkohë VV e quan të mbyllur çështjen e kryeparlamentarit dhe nuk e ridiskuton më.
Që nga e enjtja e javës së kaluar Kurti dhe Mustafa nuk kanë pasur asnjë takim dhe negociatat duket se janë bllokuar sërish. Nga LDK nuk ka asnjë reagim mbi këtë propozim të fundit të VV.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.