Ngjarje

14 viktima në Greqi, Turqi dhe Bullgari nga moti i keq. Bllokohet Stambolli, njerëzit ngjiten mbi çati për të shpëtuar (foto)

Nga Gazeta ‘Si’-Greqia vazhdon të përballet me përmbytjet që prej fillimit të kësaj jave. Reshjet kanë përmbytur shtëpi, biznese e makina.

Sipas mediave vendase, në Greqi, Turqi dhe Bullgari, numri i viktimave ka shkuar në 14, me ekipet e shpëtimit që kanë gjetur vetëm 7 trupa.

Veriperëndimi i Turqisë deri në kufi me Bullgarinë pothuajse janë përmbytur. Stambolli po ashtu po vuan jo vetëm nga shirat, por edhe bllokimi i një pjese të qytetit, ku lëvizja e qarkullimi automjeteve është thuajse e pamundur. Në Stamboll, sipas kryebashkiakut, 1750 shtëpi e biznese janë përmbytur.

Njerëzit janë ngjitur mbi çati, ose në vende më të larta për të kërkuar ndihmë.
Është kërkuar ndërhyrja e Forcave të Armatosura, ndërsa po ashtu kërkohet dhe helikopter për shpëtimin e qytetarëve.

Mijëra njerëz u shpëtuan pasi u bllokuan brenda një biblioteke, ndërsa disa stacione metroje u mbyllën. Lumenjtë kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrugë dhe ura, duke shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë.

Në Greqi, situata mbetet shqetësuese në Volos dhe Karditsa, pra kryesisht në perëndim, por edhe Athina u mbulua nga uji furishëm, duke e bërë të vështirë lëvizjen. Pothuajse të gjitha fshatrat janë nën ujë.

Në Bullgari, stuhitë e shiut vazhdojnë, sidomos në qytetet jugore të Detit të Zi. Numri i viktimave zyrtare është 4, por mund të jetë edhe më i lartë.

Ministri i turizmit, Dinkova tha se gati 4 mijë turistë të huaj kanë mbetur të bllokuar në restortet në bregun e Detit të Zi dhe problem mbetet transporti i tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë