Ngjarje

1,4 milionë karta drejt skadencës, qeveria shtyn afatin me ligj

Qeveria shtyn afatin e vlefshmërisë së përdorimit të letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptare deri në fund të dhjetorit të këtij viti.
Sipas llogaritjeve janë 1.4 milionë shtetas shqiptarë me të drejtë vote që iu skadonte karta e identitetit dhe që i rrezikonte atyre votimin në zgjedhjet e 30 qershorit. Për të mos rrezikuar që këta shtetas të mos e ushtrojnë të drejtën e votës, qeveria në mbledhjen e sotme vendosi të amendojë ligjin “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, duke shtuar një dispozitë tranzitore.

“Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 deri në datën 31.12.2009 dhe që përfundon brenda vitit 2019, zgjatet deri në datën 31.12.2019”, thuhet në propozimin e qeverisë.
Vendimi i sotëm i qeverisë për ndryshimin e këtij ligji pritet të shkojë për votim në Kuvendin e Shqipërisë me një procedurë të përshpejtuar.
Ministria e Brendshme kishte nisur një fushatë sensibilizimi me qëllimin për të nxitur qytetarët që iu skadonte karta e identitetit, i njohur ndryshe edhe si letërnjoftim elektronik të aplikonin pranë zyrave të kompanisë Aleat, të cilat ndodhen në çdo njësi të qeverisjes vendore, apo administrative. Për këtë u parashikua edhe shtimi i sporteleve të aplikimit me qëllim që qytetarët të mos kishin pengesa për të aplikuar.
Por siç duket qeveria ka vendosur t’i gjejë një zgjidhje të ndërmjetme, duke e shtyrë afatin e vlefshmirsë deri në fund të dhjetorit 2019.
Vendimi i qeverisë pritet të shkaktojë reagimin e opozitës, pasi demokratët e shohin këtë shtyrje si përpjekje e qeverisë si pjesë e procesit të shitblerjes së votave.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi në një reagim të mëparshëm ka dhënë alarmin për rrezikun e që këta zgjedhës të mos votojnë më 30 qershor,
“1,4 milionë karta identiteti skadojnë para datës së zgjedhjeve. Qytetarët po përplasen në radha pa fund, çmimi i kartave është shtrenjtuar shumë në krahasim me 2009, nga 10.000 në 15.000 lekë të vjetra. 1,4 milionë zgjedhësit do të duhet të paguajnë plot 21 miliardë lekë të vjetra që të kenë të drejtën e votës. Pa karta te reja te vlefshme, zgjedhësit nuk votojnë dot dhe kjo shkakton kolaps të zgjedhjeve. Për këtë nuk duhet ndryshuar as Kodi Zgjedhor as ligji i kartave të identitetit. Thjesht qeveria nuk ka bërë asgjë. Për shembull e gjithë Bashkia Durrës ka vetëm një zyrë për qindra mijëra zgjedhës që u skadojnë kartat”, do të shkruante Bylykbashi në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë