Nga Gazeta Si – “Zoti jem po m’vjen keq me gjithë zemër për gjithë mkatet që kam ba se kam bjerrë parrisin, kam meritue ferrin por ma fort se t’kam fye ty. O e mira e pambarueme që kaq fort m’ke dashtë, mëshiro Zot, m’fal o Zot, po t’nap fjalën me ndihëm tane mos me t’fye ma kurrë”. Kështu do të shprehej Nënë Tereza në një fjalim në Amerikë në vitin 1988.
Nënë Tereza e Kalkutës, shenjtorja shqiptare, me veprat e saj të panumërta të bamirësisë dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe përkujdesjes arriti të pushtojë botën dhe të fitojë Çmimin Nobel për Paqen. Dita e sotme (26 gusht) përkon me ditën e lindjes së humanistes botërore, ku shënohet 112-vjetori i lindjes së saj.
Gruaja me një fizik shumë të vogël, por me zemër tepër të madhe që pushtoi tërë botën lindi më 26 gusht 1910 në Shkup dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.
Gonxhe Bojaxhiu, e lindur dhe e rritur në një familje thellësisht katolike iu afrua baballarëve misionarë jezuitë në famullinë e Krishtit Mbret në Shkup, Maqedoni, si një vajzë e re, një përvojë që e çoi atë të bëhej murgeshë dhe misionare sapo të mbushte 18 vjeç.
Pasi u dërgua në Indi si mësuese, ajo kuptoi se misioni i saj i vërtetë ishte në Kalkuta, mision i cili filloi në 1948-n, ku lëvizi përgjithmonë për të ndihmuar fëmijët, për të trajtuar vdekjen dhe për të mirëpritur “të vegjlit”.
Ndërkohë, pas Luftës së Dytë Botërore, ajo kuptoi se duhej të linte manastirin dhe të ndihmonte të varfrit, duke jetuar në mesin e tyre.
Me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë gra iu bashkuan misionit të saj, aq sa në vitin 1950 ajo themeloi ‘Misionarët e Bamirësisë’. Gjithmonë vihej në pah mirësia e saj, pasi jo rastësisht fiton Çmimin Nobel për Paqen më 1979.
Me rastin e dhënies së Çmimit Nobel për Paqen, shenjtorja me një buzëqeshje të ëmbël dha edhe një mesazh kundër abortit dhe në favor të jetës. Dhe sigurisht që thënia e saj mori famë dhe i reziston ende kohës: “Nëse një nënë mund të vrasë fëmijën e saj, kush i ndalon njerëzit të vrasin njëri-tjetrin?”.
Nënë Tereza e Kalkutës, ende një shembull i bamirësisë
Nënë Tereza nga Kalkuta ende konsiderohet një shembull i bamirësisë dhe njerëzimit, edhe pse kanë kaluar gati 25 vjet nga vdekja e saj.
Në 25-vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, Qeveria e Kosovës organizon “Ditët e Nënë Terezës” me aktivitete të shumta kulturore dhe përkujtimore.
“Ditët e Nënë Terezës” fillojnë me datë 26 gusht me një akademi solemne të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, ndërsa mbarojnë me koncertin e Filharmonisë së Kosovës me datën 5 shtator.
Nënë Tereza vazhdon të jetojë ende mes nesh përmes frazave, thënieve, aforizmave që na çojnë drejt dashurisë absolute.
E gjithë jeta dhe vepra e saj ofrojnë dëshmi për gëzimin që sjell dashuria dhe vlerën e gjërave të vogla të bëra me shumë dashuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.