Koronavirusi i ri po përhapet si një zjarr i egër që ka përfshirë të gjithë botën tashmë. Vetëm ditën e diel, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se në mbarë rruzullin u konfirmuan zyrtarisht 11 mijë raste dhe lista e vendeve të prekura tashmë shkoi përtej 140 vendeve.
Në total tani janë rreth 155 mijë persona të infektuar, sipas OBSH-së, por ekspertë dhe mjekë druhen se numri është të paktën disa herë më i lartë, duke u nisur nga përhapja eksponenciale e virusit dhe rastet e fshehura që nuk janë zbuluar ende. Sipas tyre, shifra mund të shkojë deri në 1 milion të prekur.
Europa është shndërruar në qëndren e pandemisë. Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Spanja, Holanda dhe të gjitha vendet e tjera europiane deklaruan rritje të fortë të rasteve të infektuarish, ndërsa në Itali duket se pandemia ka dalë jashtë kontrollit. Autoritetet atje raportuan rreth 4 mijë raste të reja, ndërsa numri i viktimave brenda 24 orëve ishte 380. Për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë, numri i viktimave në të gjithë botën tejkaloi numrin e viktimave në Kinë.
Irlanda mbylli pabet e saj të famshme dhe kufizoi lëvizjen në vendet publike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan 800 raste të reja, ndërsa Nju Jorku mbylli baret, kinematë, teatrot dhe vende të tjera grumbullimi masiv të njerëzve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




