Shendet

11% e mjekëve pozitive ndaj antitrupave, por testet serologjike s’janë gjithmonë të sakta

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale gjatë ditës së premtes njoftoi se janë testuar 323 mjekë për antitrupa anti-SARS-CoV-2. Nga të dhënat rezultoi se në Shërimin e Sëmundjeve Infektive 15% e mjekëve kanë rezultuar pozitiv për antitrupa, ndërsa në total në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” (QSUT) kanë rezultuar 11% e bluzave të bardha për antitrupa.
Epidemiologu Erion Dasho i tha Gazetës “Si” se përqindja e kolegëve që kanë kaluar Covid-19 në spitalin infektiv është i pritshëm, por sipas tij fakti që edhe kolegë të tjerë janë ekspozuar në shifra të larta, flet për raste ende të padiagnostikuara.
“Kjo tregon se duhet ta konsiderojmë personelin mjekësor një grup të rrezikuar dhe duhet të marrim masa mbrojte në 3 drejtime. 1)T'i pajisim ata me mjete mbrojtëse personale dhe të zbatojmë një hetim epidemiologjik shume strikt në spitale. Por kryesorja janë përdorimi i pajisjeve mbrojtëse për të gjithë koleget. 2) Duhet të bëhen testime të vazhdueshme dhe gjurmim rasti. Sa here qe diagnostikohet një rast në popullate, mjeket dhe infermieret që janë ekspozuar ndaj pacientit në fjale duhet të testohen dhe t'i nënshtrohen procedurave të izolimit ose karantinimit bazuar ne protokollet e OBSH-së. 3)Duhet pare edhe përvoja e botes, por mund te mendohet pranimi i pacienteve ne strukturat ku bëhen vizita ambulatore vetëm me maska,” shprehet Dasho.

Testet serologjike në vendin tonë u kryen që prej datës 20 prill. Këto teste konsistojnë në një analizë gjaku dhe tregojnë nëse një person ka krijuar antitrupa pasi Covid-9 ka hyrë në organizmin e tyre. Testet serologjike kryhen si një test i zakonshëm gjaku, por si qëllim kanë zbulimin e antikorpeve.
Epidemiologu Dasho shpjegon se vetëm duke mbrojtur personelin mjekësor, mbrojmë edhe pacientet, pasi një mjek ose infermier i infektuar, mund te kthehet ne burim infeksioni edhe për pacientet. Sipas epidemiologut, personeli duhet të kryejë dy teste.
“Testi PCR (ose testi i tamponit) shërben për diagnozën e hershme dhe për të diagnostikuar personat qe mund te jene ekspozuar ndaj COVID. Ky ka qellim diagnozën e hershme të personelit dhe parandalimin e infektimit tek pacientet. Si dhe mundësinë që personeli të vendoset në izolim për të marrë trajtim sa me të mirë. Testi serologjik shërben për të vlerësuar persona që mund ta kenë kaluar ne mënyrë "te heshtur" sëmundjen. Nëse një mjek rezulton pozitiv ne testin serologjik, me njohuritë që kemi sot, mund ta vlerësojmë atë si te imunizuar, pra te mbrojtur nga COVID,” shpjegon Dasho.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar prej kohësh se testet serologjike janë të paefektshme.
“Shumë shtete sugjerojnë përdorimin e testeve të shpejta serologjike për të kapur atë që ata mendojnë se do të jetë një masë imuniteti. Për momentin, ne nuk kemi asnjë provë se përdorimi i testeve serologjike mund të tregojë nëse një individ ka imunitet apo është i mbrojtur nga riinfektimi,” ka theksuar OBSH.

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/3197900203629081/

Edhe epidemiologu Dasho shpjegon se nuk dihet saktësisht sensitivitetit dhe specificitetit te testeve, testet asnjëherë nuk janë 100% të sigurt. Ai thotë se komiteti i ekspertëve dhe mjekët specialiste të laboratorit duhet t’i rekomandojnë Ministrisë së Shëndetësisë përzgjedhjen e testeve me besueshmëri sa më të lartë.
“Në këtë fushe, nuk duhet te orientohemi nga çmimi, por nga besueshmëria dhe saktësia e testeve. Sa me afër 100% të jene sensitiviteti dhe specificiteti, aq me mirë është,” shtoi Dasho.
Gjithashtu edhe mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, është prehur më parë për Gazetën “Si” se ka shumë pikëpyetje sa u takon testeve serologjike kudo në botë.
“Së pari jo të gjitha janë certifikuar për sa i takon sensitivitetit dhe specifitetit, së dyti sa i takon llojit të analizës, dhe referencës me apo pa PCR pozitive si dhe qëllimit, diagnostike që ka shumë pikëpyetje, imunologjike apo thjesht depistuese. Ka shumë diskutime për kohën kur duhet filluar, pra kur janë më të dobishme. Nuk po flasim për “rapid testet”, rreth të cilave ka edhe më shume pikëpyetje,” shtoi mjeku.

Në Shqipëri testet seroligjike janë zhvilluar prej gati 2 javesh te bluzat e bardha, por autoritetet ende nuk e kanë një përgjigje për këto përfundime, ndërsa thonë se pas testimit te bluzat e bardha, ato do të përdoren për testim masiv në popullatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë