Teater

10-vjetori i Koko Fest në Korçë, Zamira Kita tregon detajet: Do të jetë një nga festivalet më të bukur

Nga Gazeta Si - Nga 2 shtatori, Korça do të jetë në një javë feste, me rikthimin e Koko Fest, Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë që prej vitesh i dhuron të qeshura si publikut vendas ashtu edhe vizitorëve duke u shndërruar tashmë në një traditë dhe stacion kulturor, çdo fillim vjeshte.

Ky vit përkon edhe me 10-vjetorin e këtij festivali, por për Zamira Kitën, drejtore e Teatrit të Korçës njëherësh organizatore e këtij eventi, festivali synon të kthehet në traditë të gjatë të qytetit dhe të artit skenik.

Edicioni i dhjetë (nga data 2-9 shtator) do të sjellë 8 shfaqje në konkurrim.

“Do të jetë edhe Kosova edhe Maqedonia e Veriut, edhe Shqipëria. Do të kemi shfaqje nga Tirana, Durrësi, Korça, Gjakova, Gjilani dhe Shkupi. Duke qenë se është 10-vjetori ne kemi zgjedhur shfaqjet më të mira të këtij viti”, thotë Zamira Kita për Gazetën “Si”.

Festivali do të hapet në 2 shtator me shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë” nga Teatri i Korçës. Më 3 shtator nga Tirana do të vijë për publikun shfaqja “Tërësisht të huaj”, me regji të Erion Isait.

Më 4 shtator do të vijë Kosova në konkurrim me teatrin e Gjakovës me shfaqjen “Allo Allo” dhe regji të Ilir Bokshit. Më 5 shtator nga Teatri shqiptar i Shkupit do të vijë shfaqja “Ylli pa Emër” me regji të Hervin Culit.

Më 6 shtator do të vijë Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit me shfaqjen “Tatuazhi i trëndafilit”.

Më 7 dhe 8 shtator do të vijë sërish Tirana në konkurrim. Më 7 shtator do të jetë shfaqja “Një dasmë e hatashme” me regji të Kiço Londos, ndërsa më 8 shtator komedia “Certifikata e martesës” me regji të Driada Dervishit.

Nata e fundit do të mbyllet me komedinë “Borgjezi fisnik” të Teatrit të Durrësit.

Zamira Kita, drejtore e Teatrit "Andon Zako Çajupi', Korçë.

Për Zamira Kitën synimi i 10-vjeçarit që vjen është që në programin e Koko Fest të futen edhe shfaqje të huaja.

“Edhe shfaqjet e këtij edicioni janë të gjitha shqipfolëse. Synojmë që në 10-vjetorin tjetër të kemi edhe shfaqje të huaja për të ndarë edhe eksperienca me njëri-tjetrin”, shprehet Kita për Gazetën Si.

Ashtu si në vitet e shkuara, edhe këtë vit do të ndahen çmime nga një juri me emra të njohur të teatrit, si aktori Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, aktorja Rajmonda Bulku, aktori Vasjan Lami dhe një aktore shqiptare që e ushtron aktivitetin e saj teatror në Athinë, Vethi Redhi. 

“Çmimet do të jenë të shumta, shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, çmimi i karrierës, aktori/ja më e mirë në rol protagonist, aktori/ja më i mirë në rol joprotagonist dhe artistja e re e quajmë kështu sepse mund të jetë një regjisor, një skenograf”, vijon Kita më tej rreth edicionit të 10-të të Festivalit të Komedisë.  

Duke qenë se është edhe 10-vjetori, organizatorja e këtij eventi thotë se Koko Festi këtij viti do të ketë të ftuar, shumë të ftuar.

“Jemi në 10-vjetor dhe duam që atmosfera të ndjehet më shumë se çdo herë”.

Kita shpreson që “të jetë një nga Kokofest-et më të bukura në këtë 10-vjeçar dhe më cilësor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë