Arredim

10 shtëpi ëndrrash nga shekulli i kaluar

Shtëpia duhet të jetë një vend i shenjtë : një vend ku ti të ndihesh i sigurt, dhe të mund të qetësohesh pas një ditë të gjatë, një vend ku ne presim miqtë dhe sigurisht një vend ku mund të punojmë e studiojmë. Metoda dhe materiale të reja të cilat janë prezantuar që në fillimet e shekullit XX-të u kanë dhënë mundësinë arkitektëve dhe klientëve të cilët duan të guxojnë që ti hapin rrugë imagjinatës për mënyra dhe vende të reja jetese.


Ja cilat janë disa shtëpi që i përkasin shekullit të XX-të


Shtëpia Graham në Kanada
Arkitekti i shquar kanadez Arthur Erickson e dizenjoi këtë shtëpi moderniste të bregdetit perëndimor në një vend tepër të pjerrët në West Vancouver, së bashku me kolegun e tij Geoffrey Massey. Ndërtimi i shtëpisë në një vend kaq të vështirë mbi një shkëmb mbaroi në vitin 1963 dhe ishte komplet e mbuluar nga xhami. Çdo zonë e shtëpisë të nxirrte në tarracë nga ku mund të shfrytëzoje në maksimum pamjet e mrekullueshme. Erickson atëherë shkroi “Shtëpia Graham më prezantoi mua si arkitektin ku ti mund të shkoje kur kishe një vendndodhje të pamundur”. Edhe pse kishte një prestigj, fatkeqësisht shtëpia Graham u shemb në vitin 2007.


Shtëpia e shkretëtirës në Shtetet e Bashkuara
Arkitekti Jim Jennings dhe shkrimtarja Therese Bissell morën kohën e duhur për të ndërtuar strehën e tyre elegante në shkretëtirë. Pasi blenë tokën në vitin 1999, u desh të kalonte një dekadë që çifti të jetonte aty, “Kur je klient i vetes ti mund të jesh aq kërkues sa do të jesh”, tha Jennings për ‘Architectural Digest’. “Dhe ti e di sa e vështirë do jetë gjithçka, sidomos kur në pamje të parë duket e lehtë”. Hapësira është e ndërtuar në bazë të modernizmit të shkretëtirës ku e gjithë vila është e rrethuar nga blloqe betoni, dhe ka gjithashtu një çati çeliku dhe dy oborre. Nga brenda shihen qartë pamjet që e rrethojnë, palmat, malet e San Jacinto-s, dhe qielli që shkrihet në blu.


Shtëpia Edgeland në Shtetet e Bashkuara
Arkitektët e studios ‘Bercy Chen’ adaptuan një interpretim modern të shtëpive amerikane me gropa si model për Edgeland House, duke gërmuar 2 metra nëntokë për të rregulluar tokën e cila dikur ishte përdorur si tokë industriale. E kompletuar në vitin 2012, kulmi i çatisë dhe gërmimet lejojnë që shtëpia të jetë e ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë. Mungesa e ndonjë korridori lidhës midis dhomave të ndenjes dhe atyre të gjumit është i qëllimshëm, në mënyrë që pronarët të kalojnë më shumë kohë jashtë.


Shtëpia në Itsuura, Japoni
Kjo shtëpi një-katëshe në Japoni është e ndërtuar mbi dy shtylla të cilat lejojnë që pjesa tjetër e strukturës të jetë e ngulitur në kodër. Në brendësi është e veshur me dru vendi dhe fasada e jashtme lejon rregullimin e temperaturës, lejon që brenda të hyjë dritë dhe siguron privatësi. Dhomat e ndenjes ndodhen në pjesën e gjatë të strukturës ndërkohë që dhomat e gjumit gjenden në anën tjetër. Arkitektët mbollën 60 pemë për të ndihmuar në rigjenerimin e zonës duke shpresuar se me kalimin e kohës banesa do krijojë një lidhje me mjedisin përreth.


Bakkaflöt 1, Islandë
Pak kohë pasi u diplomua nga “Shkolla e Arteve të Bukura” në Paris në vitin 1960, Högna Sigurðardóttir u bë femra e parë që dizenjoi një ndërtesë më kapacitet profesional në Islandë. Disa vite më vonë, ajo do dizenjonte një nga ndërtesat më madhështore të vendit në formën e një kasolleje të thjeshtë moderne për një familje periferike. Në vitin 1963 Sigurðardóttir i tha familjes “Unë do ju bëj një fole”, dhe duke përfshirë tre kodra të vogla të ngritura në mënyrë që të mbronte shtëpinë nga toka e ashpër, ajo e mbajti premtimin e saj.


Shtëpia mbi shkëmb në Spanjë
“Një shpellë kontemporane”, kështu e quajtën arkitektët Pablo Gil dhe Jaime Bartolome shtëpinë që vjen si e valëzuar mbi një kodër të pjerrët. E kompletuar në vitin 2015, banesa dy-katëshe përdor ftohjen natyrale të tokës për të ruajtur një temperaturë konstante. E mbuluar me beton të dyfishtë, çatia e punuar me dorë ngjan me një lëkurë me luspa si të një dragoi, bashkë me pishinën e saj dhe tarracën e cila na lejon të hedhim sytë mbi detin Mediterranean. Arkitektët konstatuan se “Çatia metalike krijon një balancim midis natyrales dhe artificiales, midis lëkurës së një dragoi kur e shohim nga poshtë dhe valëve të detit kur e shohim nga lart”.


Shtëpia Dragspel në Suedi
Dragspel do të thotë fizarmonikë në gjuhën suedeze, duke iu referuar shtyllave të kuqe të kësaj kabine nga fundi i shekullit të XIX-të e ndodhur në bregun e liqenit Övre Gla. Forma e shtëpisë bëhet njësh me natyrën përreth dhe është e dizenjuar të ketë një impakt minimal me dritaret e fshehura brenda strukturës. Në kohën e duhur, druri i kabinës merr një ngjyrë gri, duke u përzier me peisazhin pyjor shkëmbor. Një tjetër hile e vogël është që gjatë verës pjesa e përparme e kabinës mund të hapet duke lejuar kështu murmurimën e ujit të depërtojë përtej dritareve dhe mund të mbyllet gjatë ditëve me shi dhe të ftohta në dimër, duke u përshtatur kështu me ambientin në varësi të sezonit apo numrit të të ftuarve.


Shtëpia Till në Kili
Kjo shtëpi e ndërtuar për një çift në bregdetin e Navidad është e rrethuar nga Oqeani Paqësor në të treja anët e saj. E padukshme nga rruga, tarraca e saj e hapur është perfekte për të shijuar pamjet panoramike, ndërkohë që pjesa tjetër e hapësirës është për të fjetur dhe për të ngrënë. Dhomat individuale janë të projektuara për të siguruar privatësi dhe e gjithë çatia është një kuvertë masive e hapur e cila arrihet nga niveli i shkëmbinjve. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme për tu relaksuar, ka gjithashtu nje xhakuzi ku uji ngrohet me anë të zjarrit.

Rezidenca Kirsch në Shtetet e Bashkuara
Në periferi të parkut Oak, Illinois, ti do mendoje se shtëpia dhe studioja e Frank Lloyd Wright do ishte më e bukura, por këto mendime bien poshtë kur kalon afër një bunkeri masiv të ndërtuar në vitin 1982 nga Errol J Kirsch i cili të kujton strukturën që zakonisht e shohim në filmat fantashkencë. E përbërë nga betoni, rezidenca e Kirsch-it e cila ka një formë të pazakontë të jep ndjesinë e sigurisë. Por kjo nuk është e gjitha, dritaret e pjerrëta janë të projektuara për efikasitetin e energjisë duke penguar ndryshimet e temperaturës dhe për të maksimizuar fitimin diellor.


Shtëpia Malator në Wales
E konvertuar nga baraket ushtarake nga arkitektët Jan Kaplický dhe Amanda Levete, shtëpia Malator apo “shtëpia e teletabis”, siç e kanë quajtur ndryshe vendasit, është një shtëpi pushimi me dy dhoma e zhytur në një kodër artificiale nga ku mund të shikosh bregun e Pembrokeshire. E ndërtuar në vitin 1998, shtëpia me çati druri është e mbuluar nga bari, gjë që e bën praktikisht të padukshme. Hapësira e brendshme përmban banjën dhe kuzhinën, dhe gjithashtu dhomën e ndenjes që ka një divan të madh dhe një vatër zjarri. E vetmja shenjë vendbanimi në atë shtëpi është një dritare e cila duket si një sy që sheh përtej detit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë