Shendet

1 mld euro për ilaçin që nuk lufton Covid, KE në shënjestrën e kritikave

Komisioni Europian negocioi dhe në fund arriti marrëveshjen për blerjen e gjysmëmilioni doza remdesivir nga kompania Gilead me një vlerë totale prej rreth 1 miliardë euro.

Por, fill pas kontratës së nënshkruar nga Komisioni në emër të Bashkimit Europian, Norvegjisë, Islandës dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kandidate për anëtarësim, përfshirë edhe Shqipëria, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi një studim masiv, ku u përfshinë rreth 11 mijë pacientë të infektuar me Covid-19, sipas të cilit ky medikament nuk kishte asnjë efekt në kurimin e tyre.

Pak ditë nga publikimi i këtyre të dhënave, vjeshtën e 2020-ës, OBSh rekomandoi që remdesiviri të mos përdorej për kurimin e pacientëve me Covid duke deklaruar se ai shpëtonte jetë, madje në disa raste mund të përkeqësonte gjendjen e të sëmurëve.

Nisur nga këto të dhëna dhe nga thirrja e OBSh-së, deputetë të Parlamentit Europian i bënë thirrje Komisionit që të anulojë kontratën 1 miliard euroshe dhe të ndjekë hapat e nevojshme ligjore ndaj kompanisë Gilead.

Sipas eurodeputetes franceze, Virginie Joron Gilead është vënë në dijeni nga OBSh se remdesivir nuk ka efekte në kurimin e Covid para se kompania të nënshkruante kontratën e majme me Bashkimin Europian, por sërish e nënshkroi atë.

Megjithatë, KE thotë se nuk ka ndërmend as të rinegociojë dhe as të anulojë kontratën në fjalë, duke deklaruar se është ende në fuqi një autorizim për përdorim të pjesshëm të remdesivirit nga Agjencia Europiane e Medikamenteve (EMA).

KE thotë gjithashtu se EMA ka kërkuar të dhënat e plota të studimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe pas analizimit të tyre pritet që të dalë me një vendimmarrje të re nëse do ta anulojë, apo jo përdorimin e këtij medikamenti tek pacientët me Covid.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë