Ngjarje

1.3 mld qytetarë në shtëpi, India vendos karantinën më të madhe në histori

Karantina më e madhe e parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit po ndodh. Prej mesnatës, 1.3 miliard indianëve u është urdhëruar mbyllja në shtëpi dhe shmangia e lëvizjeve për 21 ditë me radhë.

Masa u komunikua nga Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, pas rritjes së fortë të rasteve të reja me koronavirus në vend.

“Ky është një ndalim i plotë për këdo që kërkon të dalë nga shtëpitë”, tha përmes një adresimi televiziv kryeministri indian.

Apeli i Modit për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur panikun pak funksionoi. Mijëra qytetarë u vërsulën nëpër supermarketet e vendit, duke shkaktuar kaos dhe trazira, sidomos në qytetet e mëdha, si në Delhi. Korrespondentë të mediave ndërkombëtarë thonë se është e paqartë se si, apo nëse do t’u lejohet banorëve që të dalin jashtë për të blerë ushqime dhe ilaçe.

Masat pasojnë njoftimin e autoriteteve për rritjen e numrit të rasteve me koronavirusin e ri në 519, ku 10 vetë kanë gjetur vdekjen. Këto janë shifrat zyrtare që thonë institucionet e Indisë, por kritikët thonë se numri është shumë më i lartë dhe mjaft persona të infektuar nuk kanë akses tek strukturat shëndetësore.

“Për të shpëtuar Indinë, për të shpëtuar çdo qytetar, për të shpëtuar ty, familjen tënde, çdo rrugë, çdo lagje do të mbyllet”, deklaroi Narendra Modi.

Kryeministri indian tha se nëse situata del jashtë kontrollit këto 21 ditë, vendi do të kthehet pas me 21 vite.

“Është përgjegjësia e secilit prej nesh që të bëjë detyrën e tij. Kjo do të ketë pasojat ekonomike, por ato janë një sakrificë që duhet të bëjmë”, vijoi ai.

Modi sqaroi më vonë se ngutja për të kryer blerje nëpër dyqane dhe supermarkete ndihmon përhapjen e koronavirusit dhe siguroi qytetarët se ushqimet dhe gjërat e tjera bazë të nevojshme do të shpërndahen nëpër banesa nga Qeveria.

Vendimi e bën Indinë që të vendosë rekord për karantinën më të madhe të vendosur ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Më shumë se 1.3 miliard njerëz duhet të qëndrojnë në shtëpi për 3 javë. Rekordin e deritanishëm e mbante Kina me vendosjen në izolim të rreth 50 milionë banorëve në Uhan dhe në pjesë të tjera të provincës së Hubeit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë