Ngjarje

”Kthimi” i Mid’hatit – Frashërllinjtë më në fund do të prehen bashkë

Më 3 tetor të vitit 1949, ai u nda nga jeta në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa më 11 nëntor të 2018-ës, eshtrat e tij morën rrugën, pas 69 vitesh, drejt atdheut.
Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit, figurë shumëdimensionale –që preku fushat e veprimtarisë nga publicistika e deri tek përfshirja në çështjen kombëtare e politika – u shoqërua me një ceremoni solemne në Qendrën “Nënë Tereza”, pranë “Kishës Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, të Nju Jorkut. I njohur me emrin e penës, Lumo Skëndo, pinjolli i familjes Frashëri- i biri i Abdylit dhe nip i Naimit dhe Sami Frashërit – kishte udhëtuar nga Europa drejt Amerikës për të organizuar Komitetin Shqipëria e Lirë.


Trupi i tij prehej deri më tani në varrezën Ferncliff , në Weschester. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete shqiptaro-amerikane dhe një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga politika, kleri i besimit Bektashi dhe nga Instituti i Studimeve Historike në Tiranë, Lumo Skëndo, por u vu re mungesa e disa anëtarëve të organizatës “Vatra”. Drejtuesit e saj, ka njoftuar më herët Zëri i Amerikës, kishin bërë të ditur se nuk do të merrnin pjesë. Sipas tyre, qeveria shqiptare, vendimin për riatdhesimin e Mid’hat Frashërit e shikon thjesht të lidhur me rolin e tij në çështjen e alfabetit, duke lënë mënjanë kontributet e tij politike si luftëtar kundër komunizmit.


Mid'hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i organizatës Balli Kombëtar, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimi komunist e cilësoi si kolaboracionist dhe vazhdon të jetë ende një pikë ndarjeje mes mbështetësve të tij antikomunistë dhe një pjese të historianëve.
Mid’hat Frashëri do të rivarroset më 14 nëntor në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, në varrezat monumentale ku prehen i ati, Abdyl dhe xhaxhallarët Sami dhe Naim Frashëri.
Në amanetin e tij Mid’hat Frashëri do të kërkonte që mbi varr t’i vendosej një bllok graniti dhe një qiparis…


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë