Teater

Dita Botërore e Teatrit – A na duhet ai?

Aktorja Ilire Vinca, në shfaqjen "Natën Ma", foto kortezi: Teatri i Metropolit

“Nëse teatri ka vdekur, rroftë teatri!”, shkruante më 27 mars të vitit 1962, dramaturgu dhe poeti francez  Jean Cocteau. Ishte i pari mesazh në atë që do të njihej si Dita Botërore e Teatrit, e kremtuar ndërkombëtarisht çdo vit. Edhe në Shqipëri, kjo ditë e themeluar nga Instituti  Ndërkombëtar i Teatrit (ITI), është përkujtuar nga disa aktorë dhe regjisorë të skenës, ndërsa institucionet si Ministria e Kulturës, Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental, kanë shpërndarë mesazhin  e këtij viti, që vinte nga kubani Carlos Celdran, drejtor i  teatrit “Arhos”, të Kubës.

Regjisorja Driada Dervishi, e cila ka rikthyer këto ditë  në skenën e “ArTurbina” tri shfaqje të saj si “Komedia që shkon për dreq”, “Shirli Valentina” dhe “8 Femrat”, në ditën botërore të tij, ndan magjinë që shkakton teatri. “Ka diçka të pashpjegueshme në dëshirën e fortë njerëzore për të ndarë e marrë emocione në një vend ku drita natyrale nuk hyn, por kur dritat e skenës të japin një ndjesi bukurie që gjen gjithnjë rrugën për të depërtuar në shpirt. Ka diçka tronditëse e po aq të ëmbël në momentet dramatike, tragjike apo komike, në të cilat ndjen se njëqind, treqind apo pesëqind njerëz reagojnë njësoj në të njëjtën kohë, marrin frymë e ndjejnë me të njëjtin ritëm, të përthithur krejt nga ajo që dëgjohet e ndodh në skenë. Ka diçka të trishtë në ikjen e këtyre momenteve e diçka mrekullisht të bukur në rikthimin e tyre”, shkruan regjisorja.

Regjisorja e teatrit, Driada Dervishi

Aktorja dhe regjisorja Ema Andrea, e cila ka sjellë sërish për publikun kryeqytetas shfaqjen me regji të saj, “Natën Ma” në skenën e Teatrit të Metropolit, ka përcjellë mesazhin e vërtetësisë dhe seriozitetit që ka gjinia e teatrit. “Teatri nuk është “lojë shpiash”, ku fqinjët mblidhen me pi kafe e me “vra” kohën, nuk është mjet deliri e fame “te lagja jonë”, nuk është gare “kush ia hipën më shumë”! Teatri nuk kërkon pushtet, sepse ka lind prej vetes, e ka pushtetin e ndërgjegjes, lind me ne e vazhdon të jetojë  edhe kur ne ikim! Shkruhet në rërë çdo natë, dallgët e era që i shkojnë përsipër nuk e fshijnë, por e kthejnë te i Zot-Njeriu që mbet’ pa formë  kur i mungon Arti përgjatë rrugëtimit të ngushtë drejt fundit”, shkruan Andrea, ndërsa shton se Teatri duhet dashur ccdo ditë, me kurajë e përkushtim. “ Teatri frikëson ashtu si e vërteta! Ndaj, kush e “përdor” prej mundësisë apo pamundësise me e dasht’,  duhet me pas’ kujdes se çfarë shkruan në rërë! Era e dallgët “kthehen në shtëpi” gjithmonë.

Ema Andra me aktoret Egla Ceno dhe Ilire Vinca, në shfaqjen “Natën Ma”

Edhe aktorja Suela Bako, e cila erdhi për herë të parë si regjisore teatri me shfaqjen “Tri Gra dhe Misugi” në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, do të uronte komunitetin teatror, duke zgjedhur mesazhin e regjisorit rus Anatoli Vassiliev në Ditën Botërore të Teatrit, një vit më parë, ku regjisori ngre pyetjen e bërë nga profesionistë, por edhe miliona njerëz të publikut, nëse na duhet teatri. “Teatri mund të na tregojë gjithçka”, thotë Vassieliev. “Se si zotat banojnë në qiell dhe,  se si të burgosurit vuajnë në shpella të harruara nën tokë dhe,  se si pasioni mund të na lartësojë  dhe,  se si dashuria mund të na rrënojë, se si askush nuk ka nevojë për një njeri të mirë në këtë botë, dhe se si mashtrimi mbretëron, dhe se si njerëzit jetojnë në apartamente, ndërkohë që fëmijët vyshken në kampet e refugjatëve, dhe se si të gjithë ata do të duhet të kthehen prapë në shkretëtirë, dhe se si ditë pas dite ne jemi të shtyrë të ndahemi nga të dashurit tanë, – teatri mund t’i tregojë të gjitha.” Për regjisorin rus, teatri ka qenë dhe do të mbetet përgjithnjë, pikërisht për arsyet që ai rendit.

Suela Bako në shfaqjen “Tri Gra dhe Misugi”, ku është regjisore dhe interpreton njëherazi

Aktori Neritan Liçaj, zë aktiv në protestën kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, është mjaftuar me një urim për kolegët, duke shkruar “Gëzuar festën teatrantë.”Aktori Julian Deda, në këtë ditë ka prekur problematikat që kanë teatrot në Shqipëri, ndërsa shkruan në Facebook, “ Sot, Dita Botërore e Teatrit, e gjen Tiranën e mbi 1 milion banorëve me atë turbinën e përshtatshme për stallë lopësh dhe jo për teatër, me një vend të vdekur si Teatri i Metropolit dhe me një Teatër Kukullash totalisht anemik dhe në  shërbim të  partisë,  jo të fëmijëve…!”, shkruan Deda, ndërsa në post scriptum, uron kolegët.

Dita Botërore e Teatrit mori jetë më 1961-shi, nga Instituti  Ndërkombëtar i Teatrit (ITI)  dhe kremtohet çdo vit, më 27  mars, nga qendrat e këtij institutit dhe nga komuniteti ndërkombëtar i teatrit. Shumë ngjarje kombëtare dhe ndërkombëtare organizohen për të shënjuar rastin. Një nga më të rëndësishmet është qarkullimi i Mesazhit të Ditës Botërore të Teatrit, që me ftesë të ITI-t, një figurë me staturë botërore ndan refleksionet vetjake mbi temën e Teatrit dhe të Kulturës së Paqes. I pari mesazh në Ditën e Teatrit u shkrua nga  Jean Cocteau më  1962-shin.

Mesazhi përkthehet  në më shumë se 50 gjuhë dhe lexohet përpara performancave në teatër, në të gjithë botën. Teatro, profesionistë teatri, adhurues të teatrit, universitete, akademi dhe shkolla e kremtojnë, gjithashtu. Synimet e Ditës Botërore të Teatrit janë promovimi i teatrit në të gjitha gjinitë e tij nëpër botë, vetëdijesimi i njerëzve mbi vlerat e teatrit, aftësimi i komuniteteve teatrore në promovimin e punës së tyre në një shkallë të gjerë, në mënyrë që qeveritë dhe drejtuesit e  opinionit të jenë në dijeni të vlerës dhe rëndësisë së teatrit dhe ta mbështesin atë.

Teatri, thoshte Cocteau 57 vjet më parë, ka privilegjin të prodhojë paradoksin, ku historia- e cila  me kalimin e kohës deformohet dhe mitologjia, qe forcohet ndërsa koha ecën – e kanë pikëtakimin e tyre të vërtetë me realitetin, vetëm mbi skenë. “Do ishte në të mirë të  të gjithëve”, vijonte artisti francez,   “nëse një magjistar mund të hipnotizonte një teatër plot me njerëz dhe t’i bindte ata se kishin dëshmuar një performancë sublime. Por, një magjistar i tillë nuk ekziston dhe është në dorë të dramaturgut të ngacmojë, me mjetet modeste në dorë, një hipnotizëm kolektiv dhe të jetë në gjendje ta ndajë ëndrrën e tij me audiencën”. Sepse, siç thotë Cocteau,  gjumi dhe ëndrra sjellin një lloj pushteti magjik brenda arritjes së të gjithëve. *S.B


Carlos Celdran, drejtor i teatrit “Arhos”, Kubë

Mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit 2019

Carlos CELDRÁN, Kubë

Para se t’i hapja sytë drejt teatrit, mësuesit e mi tashmë ishin atje. Ata kishin ndërtuar shtëpitë e tyre dhe qasjet e tyre poetike mbi mbetjet e jetëve të tyre. Shumica nga ta janë të panjohur, apo pothuajse nuk kujtohen: ata kanë punuar në heshtje, në përulësinë e dhomave të provave dhe në teatrot e mbushura përplot spektatorë dhe, ngadalë, pas vitesh pune dhe arritjeje të jashtëzakonshme, ata gradualisht shkuan nga këto vende dhe u zhdukën. Kur unë kuptova se fati im do të ishte t’i ndiqja hapat e tyre, unë gjithashtu kuptova se kisha trashëguar atë traditë të hidhur, unike të të jetuarit në të tashmen pa ndonjë pritje tjetër përveç se të arrish transparencën e çastit të papërsëritshëm: takimit me një tjetër në errësirën e një teatri, pa mbrojtje të mëtejme sesa vërtetësia e një gjesti, një fjale që shpërfaqet.

Atdheu im teatror qëndron në ato momente të takimit me spektatorët që vijnë në teatrot tona natë pas nate, nga këndet më të ndryshme të qytetit tim, të na shoqërojnë dhe të ndajnë disa orë, ca minuta. Jeta ime është ndërtuar nga ato momente unike kur unë pushoj së qeni vetja, të vuaj për veten, dhe rilindem dhe e kuptoj domethënien e profesionit teatror: të jetosh çaste të një të vërtete të pastër kalimtare, ku e dimë se ajo që themi dhe bëjmë, atje nën dritat e skenës, është e vërtetë dhe reflekton pjesët më të thella, më personale të vetes sonë. Vendi im teatror, imi dhe ai i aktorëve të mi, është një vend i endur nga momente të tilla, ku lëmë pas maskat, retorikën, frikën e të qenit kush jemi dhe rrokemi duarsh në errësirë.

Tradita teatrore është horizontale. Askush nuk mund të pohojë se teatri ekziston në ndonjë qendër të botës, në ndonjë qytet apo ndërtesë të privilegjuar. Teatri, siç e kam marrë, përhapet përmes një gjeografie të padukshme që bashkon jetët e atyre që e performojnë dhe mjeshtërisë teatrore në një gjest të vetëm unifikues. Të gjithë mjeshtrit e teatrit vdesin me momentet e tyre prej një qartësie e bukurie të papërsëritshme; ata të gjithë shuhen në po të njëjtën mënyrë, pa ndonjë tjetër epërsi që t’i ruajë ata dhe t’i bëjë të shquar. Mësuesit teatror e dinë këtë, asnjë pranim nuk është i vlefshëm kur përballet me atë siguri që është burimi i punës sonë: krijimi i çasteve të vërtetësisë, të dykuptimësisë, të fuqisë, të lirisë në mes të një pasigurie të madhe. Asgjë nuk mbijeton përveç të dhënave apo shënimeve të veprave në video dhe fotografi që do të mund ta kapte qoftë një ide të zbehtë të asaj që bënë. Sidoqoftë, ajo që do të mungojë gjithmonë nga këto të shënime është përgjigja e heshtur e publikut i cili kupton në një çast se ajo që ndodh nuk mund të përkthehet e as të gjendet jashtë, se e vërteta që shpërndahet aty është një përvojë jetësore, për pak sekonda, më e tejdukshme sesa vetë jeta.

Kur e kuptova se teatri ishte një vend më vete, një territor i madh i cili mbulon gjithë botën, një vendosmëri u ngrit brenda meje, e cila ishte gjithashtu realizimi i një lirie: nuk të duhet të shkosh larg, apo të lëvizësh nga ku je, nuk duhet të vraposh e as të ecësh vetë. Publiku është kudo që ti të jesh. I ke kolegët që të duhen përkrah teje. Aty, jashtë shtëpisë tënde, ke realitetin e përditshëm të errët e të padepërtueshëm. Pastaj ti punon nga ajo palëvizshmëri e dukshme për të dizajnuar rrugëtimin më të madh nga të gjithë, ta përsërisësh Odisenë, udhëtimin e Argonautëve: je një udhëtar i palëvizshëm i cili nuk ndalet së shpejtuari dendësinë dhe ngurtësinë e botës së tij reale. Rrugëtimi yt është drejt çastit, momentit, drejt takimit të papërsëritshëm me shokët e tu. Udhëtimi yt është drejt tyre, drejt zemrës së tyre, drejt subjektivitetit të tyre. Ju udhëtoni me ta, në emocionet e tyre, në memoriet e tyre të cilat ju i ngjallni dhe mobilizoni. Udhëtimi juaj është marramendës, dhe askush nuk mund ta matë apo ta heshtë atë. Asnjeri nuk mund ta njohë atë në masën e duhur, është një udhëtim përmes imagjinatës së njerëzve tu, një farë që mbillet në tokën më të largët: ndërgjegjen qytetare, etike dhe humane të spektatorëve tu. Për shkak të kësaj, unë nuk lëviz, qëndroj në shtëpi, mes më të afërmve të mi, në qetësinë e dukshme, duke punuar ditë e natë, sepse e kam sekretin e shpejtësisë.

Përktheu nga anglishtja: Agon Myftari

 

Më Shumë