Histori

Si e shpëtoi romani i Viktor Hygoit Katedralen e Parisit

Franca e ka rindërtuar katedralen e saj legjendare edhe më parë. Notre Dame ka kaluar shumë në 856 vitet e saj. Ka duruar një rimodelim të keq, grabitjet revolucionare dhe një rrënim, të shkaktuar prej ndotjes. Hitleri dikur propozoi të shembej.

Të hënën, katedralja u përfshi nga flakët, duke bërë që spiralja qendrore të shkatërrohej. Shkalla e plotë e këtij dëmi kolosal duhet ende të përllogaritet, por presidenti francez Emmanuel Macron u zotua që simboli i Parisit do të rindërtohet. “Notre Dame i Parisit është historia jonë”, do të thoshte Macron. “Epiqendra e jetëve tona. Është në shumë libra, piktura, ato që u përkasin burrave dhe grave franceze, edhe atyre madje që nuk kanë ardhur kurrë këtu.”

Franca e ka rindërtuar më parë. Në fillim të 1800-s, Notre Dame ishte gjysmë e rrënuar, kur një shkrimtar përdori strukturën që po shkërmoqej,  si sfondi i një prej veprave të tij më të mëdha, duke vënë në lëvizje një operacion shpëtimi, thuajse aq të madh sa edhe ndërtimi origjinal.

Një thirrje universale duhet të ngrihet për të thirrur Francën e Re në ndihmë të së vjetrës”, shkruante ai  në një ese të titulluar Guerre aux Démolisseurs (Luftë shkatërruesve). Ai u deklaroi luftë shkatërruesve dhe synoi të shpëtonte arkitekturën mesjetare të Parisit.

“Parizienët kanë pasur një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me katedralen e tyre” thotë Stephen Murray, historian arti dhe profesor në Universitetin Columbia, ShBA, “Dhe mendoj se kryesisht vinte si shkak i valës së interesit për librin”.

Guri i parë i katedrales u vu më 1163-shin, në prani të Papës Aleksandri III. Altari përfundoi së ndërtuari afro 20 vjet më vonë; dy kullat u ndërtuan mes 1225 dhe 1250-s dhe e gjithë katedralja përfundoi më 1345-n.

Gjatë mbretërimit të Luigjit XIV (1643-1715), Notre Dame iu nënshtrua një rinovimi të pafat. Xhamat me ngjyra u zëvendësuan me dritare të tejpashme, një shtyllë u shemb për të lejuar karrocat të kalonin përmes dhe një altar druri, u prish.

Epoka e Revolucionit francez ishte edhe më e rëndë për të. E plaçkitur nga revolucionarët, dhjetëra statuja u shkatërruan. Pallati i peshkopit u dogj deri në themele dhe nuk u ndërtua më kurrë. Spiralja u shkatërrua pas dëmtimeve nga era. Plumbi i tavanit u përdor për të bërë fishekë ndërsa kambanat prej bronzi u shkrinë për topa.Katedralja iu rikthye Kishës Katolike nga viti 1802, por vijoi të rrënohej.

Atëherë, më 1831-shin, shkrimtari Viktor Hygo, botoi romanin e tij Katedralja e Parisit”, që rrëfen historinë e Quasimodos, kurrizoja që ishte kambanari i katedrales, i cili u fiksua pas së bukurës Esmeralda.

Nga filmi “Kurrizoja i Notre Dame”, bazuar në romanine Viktor Hygoit.

Hygoi nisi ta shkruante katedralen e Parisit, më 1829-ën. Kambanori kurrizdalë Quasimodo u bë legjenda e një zemre guximtare që fshihet nën guaskën groteske. Ky personazh i nxit lexuesit të shohin përtej sipërfaqes dhe të gjejnë bukurinë brenda, me shpresën se do të bënin të njëjtën gjë për Notre Dame.

Por përtej dashurisë së pamundur, Notre Dame ishte ylli i shfaqjes. Hygoi shkroi dy kapituj thjesht duke e përshkruar atë. Kapitujt përshkrues në libër janë aq të zgjatur dhe kalojnë shumë përtej kërkesave për historinë dhe përpjekjet e Hygoit për konservim të katedrales  janë tejet të qartë. “Në këtë epokë, mendimet e shkruara në gur, janë një privilegj absolutisht i krahasuar me lirinë aktuale të shtypit. Është liria e arkitekturës”, shkruante Hygo, në lëvdim të ndërtimit.

Dhe ai e vendosi romanin e tij më 1400-n, në ditët e lavdishme të Notre Dame-it. Hygoi shkroi: “Është e vështirë të mos psherëtish, të mos indinjohesh, përpara degradimeve të panumërta dhe gjymtimeve, në të cilën koha dhe njerëzit e kanë bërë të vuajë monumentin e adhuruar”.

Tanimë një roman klasik – me dhjetëra filma të bazuar në të – ishte gjithaq një sukses, kur u publikua atëkohë.

Befas, njerëzit nisën të shqetësoheshin sërish rreth shëmtisë në një prej ishujve të Parisit. Qeveria formoi Komisionin e Monumenteve Historike dhe më 1841-shin caktoi arkitektëtEugène Viollet-le-Duc dhe Jean-Baptiste Lassus për ta kthyer Notre Dame-in në lavdinë e dikurshme. Lassus vdiq më 1857-n, duke e lënë vetëm Viollet-le-Duc në përfundimin e punës. “Viollet-le-Duc duhet ta ketë jetuar dhe frymëmarrë atë ndërtesë” thotë historiani Murray.

Pas disa dekadash, ai mbikëqyri rindërtimin e spirales, që u rishfaq nga punimet e gurit, rikthimin e statujave, ndërtimin e një sakristije të re, rivendosjen e dritareve me xhamat shumëngjyrëshe, shtimin e të famshmëve përbindësha, ndërtimin e organos së re dhe shumë detyra të tjera. U ri përkushtua më 31 maj, 1864 nga Arqipeshkvi i Parisit.

“Ndjesia ime e magjepsjes… është se me të gjithë peripecitë që Franca ka kaluar, me revolucionin e 1848-s, me Napoleonin e III që u bë perandor –ata vazhduan përpara me këtë restaurim me një lloj unanimiteti dhe qëllimi të fiksuar, që nuk e sheh në ditët e sotme”, thotë Murray.

Projektet restauruese kanë vijuar gjatë gjithë kohës. Në fakt, një tjetër kish nisur këtë muaj, i financuar kryesisht nga fondacioni “Miqtë e Notre Dame”-it, në të cilin Murray është anëtar. Ai thotë se një nga anëtarët e tjerë të fondacionit ishte “në zi”, ditën e hënë.

Në Mesjetë, mund të besoje se Zoti dërgonte zjarr, për shkak se donte një katedrale më të mirë. Por nuk mund të shpresosh për një katedrale më të mirë, në këtë pikë”, thotë historiani. “Pyetja është sesi do të gjejmë burimet për të rindërtuar këtë?”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë