Nga Gazeta Si- Princ Leka shpall zyrtarisht divorcin nga bashkëshortja e tij, Elia Zaharia. Në një njoftim për shtyp lëshuar nga Oborri Mbretëror, thuhet se Princi Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që t’i japin fund martesës së tyre.
“Me anë të këtij postimi ju komunikoj zyrtarisht se LTM Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që martesës së tyre t’i jepet fund.
Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kane parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore.
Pavarësisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka II beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhënies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë!!!
Mirëqenia shpirtërore dhe fizike e vajzës, LSM Princeshë Geraldinës, do mbetet në qendër të vëmendjes së tyre, të përkushtuar për të siguruar një jetë të lumtur dhe të sigurt për Geraldinën.
LTM Princ Leka II nuk do të bëjë deklarata apo komente të mëtejshme dhe kërkon që të respektohet e drejta për privatësi lidhur me këtë çështje”, shkruhet në postim.
Lajmi i ndarjes me Princin Leka është komentuar edhe nga ish- bashkëshortja e tij tashmë, Elia Zaharia.
Në një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Zaharia shkruan se i duhet të komunikojë që kanë filluar proçedurat ligjore për zgjidhjen e martesës, pasi është vendosur bashkarisht.
“Ky nuk është aspak një realitet që më lumturon, pasi besoj në vlerat e familjes si gjënë më të shtrenjtë! Kurrsesi nuk do kisha zgjedhur për vajzën time të rritej me prindër të ndarë, por ndonjëherë ndarja qenka e vetmja rrugëzgjidhje!
Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur! Ju falenderoj shumë të gjithëve ju që më keni shkruar e më keni dhënë kurajo! Pavarësisht këtyre muajve të vështirë që kam kaluar, dashamirësia juaj më ka dhënë forcë! Ju uroj shëndet e lumturi në familjet tuaja!”, shkruan Elia Zaharia.
Në vitin 2016 Elia Zaharia dhe Princ Leka u martuan në një ceremoni që mori jo pak vëmendje. 4 vite më vonë ata sollën në jetë një vajzë të cilës i vendosën emrin e gjyshes së Princit Leka II, Geraldinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.