Gazeta Si – Klubi italian ka shkarkuar nga detyra trajnerin portugez për shkak të rezultateve të dobëta. Roma mban vendin e 9-të në klasifikimin e Serisë A. Me një komunikatë për shtyp klubi ka zyrtarizuar vendimin.
Zhoze Mourinjo nuk është më trajner i Romës. Drejtuesit e saj kanë vendosur ta shkarkojnë pas humbjes të së dielës në ‘San Siro’, kundër Milanit.

“E falënderojmë Zhozenë në emër të të gjithëve ne te Roma për pasionin dhe impenjimin që nga dita e parë e tij, – kanë thënë Dan dhe Ryan Friedkin. – Ruajmë kujtime të bukura, por gjykojmë se në interes të klubit është i nevojshëm një ndryshim i menjëhershëm. Urojmë që Zhoze dhe bashkëpunëtorët e tij për më të mirën në të ardhmen!”
Në komunikatën e klubit thuhej se shumë shpejt do të emërohej trajneri i ri. Tifozët ëndërronin Daniele De Rosin dhe klubi ua ka plotësuar dëshirën. De Rosi ka marrë zyrtarisht drejtimin e Romës, ai ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit.
I ardhur në verën e 2021-shit, Mourinjo ikën pa e mbyllur mandatin trevjeçar, me një Ligë konference të fituar, një finale Lige Europe dhe me një ecuri gjithmonë zhgënjyese në kampionat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




