Kuriozitete

Zvicra po gropos 2000 palë të brendshme për të matur shëndetin e … Tokës


Një studim i koduar ‘Proof By Underpants’ është duke u zhvilluar në Zvicër, ku studiuesit po dërgojnë mijëra palë të brendshme të bardha, pambuku tek vullnetarët, të cilët do t’i groposin ato në kopshtet e tyre. Besojeni apo jo, është një mënyrë e përparuar për të matur shëndetin e tokës.
Shkencëtarët nga instituti shtetëror i kërkimit Agroscope më vonë do t’i nxjerrin ato nga toka dhe në këtë mënyrë do të shikojnë shkallën në të cilën organizmat në tokë kanë ngrënë pëlhurën dhe do t’i analizojnë ato.
“Përveç qepjeve, të brendshmet që kemi zgjedhur janë bërë nga 100 përqind pambuk organik të biodegradueshëm. Kjo mund të shërbejë si një burim ushqimi për mikroorganizmat e ndryshme në tokë. Ato i hanë të brendshmet me një uri të madhe dhe sa më shumë mikroorganizma të jetojnë në tokë, aq më shpejt do të hahen të brendshmet”, thanë shkencëtarët.
Secili vullnetar do të marrë dy palë të brendshme. Njëra palë do të groposet pas një muaji dhe tjetra pas dy muajsh. Ato do të analizohen për të përcaktuar shëndetin e asaj që studiuesit e quajnë “xhungla nën këmbët tona”.
Tokat janë shtëpia e miliarda baktereve, kërpudhave, insekteve, krimbave dhe krijesave të tjera, por dihet pak për ekosistemin e tyre dhe mënyrën se si ndikon në gjëra të tilla si rendimentet e kulturave ose mbrojtja nga përmbytjet.
Ky projekt është krijuar për të rritur ndërgjegjësimin për erozionin global të tokës. Përdorimi i shtuar i plehrave dhe ndërtimi mendohet të jenë dy nga faktorët kryesorë që përshpejtojnë humbjen e tokave pjellore. Si dhe humbja e habitatit që mund të çojë në mbrojtje më të dobët kundër katastrofave natyrore dhe rritje të niveleve të kimikateve që derdhen në përrenj dhe lumenj.
Burimi: Science Fokus. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë