Menaxhim

Zvarritja me regjistrimin e tokave bujqësore, qeveria miraton krijimin e Task-Forcës

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një vendim të fundit në Fletoren Zyrtare, qeveria ka miratuar ngritjen e një Task-force për tokat bujqësore.

Sipas vendimit, qëllimi është trajtimi i problematikës së tokave bujqësore pa titull pronësie dhe që përdoren nga të tretë, toka të braktisura, që nuk janë prona private dhe nuk janë të zëna apo të dhëna për ndërtime.

Tokat bujqësore pa titull pronësie, por në përdorim nga të tretët do të kalojnë në sitën e Task Forcës ndërinstitucionale të propozuar nga Këshilli i Ministrave. Fillimisht do të evidentohen sipërfaqet e pronave si dhe poseduesit e tyre. Me tej Task-forca do të analizojë rast pas rasti rrethanat për fitimin e pronësisë sipas mënyrave origjinale të parashikuara në Kodin Civil apo mënyrave të tjera të posaçme, të parashikuara në ligje të veçanta.

Afati për evidentimin e sipërfaqeve të pronave bujqësore pa titull pronësie, por në përdorim nga të tjerë dhe adresimi për zgjidhjen e problematikës së pronësisë është përcaktuar 1 vit nga hyrja në fuqi e vendimit.

Plani do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Kadastrës, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë e Trajtimit të Pronës dhe Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, që do të krijojnë këtë Task-forcë. Përbërja e saj do të miratohet me urdhër të Kryeministrit.

Vitin e shkuar qeveria Rama i kushtoi vëmendje të veçantë tokave bujqësore dhe regjistrimit të tyre, me kryeministrin që e quante atë “sfidë historike”.

Duke kritikuar krerët e bashkive, Rama kërkoi që procesi të mbarojë brenda mandatit të tretë. Ai pati sugjeruar edhe gjobitjen e fermerëve që nuk shfrytëzonin tokën e tyre kur ajo kishte bonitet, por ideja nuk vazhdoi.

Ndërkohë, në Shqipëri ekziston një ligj, në rastet kur poseduesi i i tokës për arsye të ndryshme nuk ka mundur të mbjellë në atë sipërfaqe kulturën që kërkohet nga përbërja e tokës, qeveria merr në zotim dhënien me qira të këtyre tokave nëpërmjet një ankandi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë