Nga Gazeta “Si”- Në kohë festash njeriu “ngadalësohet”. Ndal hapin dhe bëhet më reflektiv. Është magjia e festave që e dikton këtë proces. Kjo ndjesi, megjithatë, shfaqet rrallë dhe përkohësisht, zakonisht në momente festive, kur ritmi i përditshëm zbutet dhe hapësira publike bëhet më e aksesueshme. Pikërisht atëherë, sheshi nuk perceptohet më si territor institucional apo i largët, por si një vend ku prania njerëzore legjitimohet. Edhe pse e përkohshme, kjo ndjenjë e “zotërimit” e bën hapësirën më njerëzore dhe rikujton funksionin e saj bazë: të jetë për njerëzit që e jetojnë qytetin.
Sheshi Skënderbej, si çdo dhjetor, edhe këtë vit është shndërruar në një qendër deri diku argëtimi. Kioskat tipike prej druri dhe mekanizmat e lojërave të vendosura anash tyre ndërtojnë mozaikun e përditshëm të festave. Këtë vit duket sikur ka një sistemim më të qartë të objekteve: diametri i sheshit është më i hapur dhe lojërat apo mekanizmat e mëdhenj prej hekuri, që vite më parë krijonin një kakofoni të padurueshme, janë vendosur në distancë. Kritikat e viteve të shkuara, kësaj here, duket se nuk kanë rënë në vesh të shurdhër.

Megjithatë, sheshi në fundvit mbetet mbi të gjitha sheshi i kafeneve, ku shumë njerëz zgjedhin të shijojnë një kafe, një kapuçino apo një kakao të ngrohtë, pavarësisht çmimeve stratosferike.
“Një kafe kushton 1800 lekë të vjetra, ndërsa kapuçinot, kakaoja dhe çokollata e ngrohtë kushtojnë 5500 lekë,” na thotë Besi, kamerier. I pyetur për frekuentimin, ai pranon se gjatë ditës ka një rënie të lehtë, por në mbrëmje është e pamundur të gjesh një vend bosh.
Po çfarë i shtyn njerëzit të frekuentojnë këtë hapësirë, e cila vitet e fundit është kthyer në një simbol (shpesh bajat) të festimeve?
Elda, një nënë e re që po shijon një kapuçino, thotë se arsyeja kryesore është vajza e saj trevjeçare.
“Dola për gocën. Ajo ka qejf të luajë në këto lodra dhe të shohë dritat e pemës. Fundja, një herë në vit po dalim,” thotë ajo me të qeshur, duke shtuar se për një ditë sheshi i duket si një kafene lagjeje.

Sheshi Skënderbej shpesh perceptohet jo si një hapësirë e përditshme qytetare, por si një territor i elitave, një vend i distancuar nga jeta e zakonshme urbane. Për shumë njerëz, ai nuk është një shesh ku mund të ndalesh lirshëm, por një hapësirë që më tepër vëzhgohet sesa përjetohet. Arkitektura monumentale, boshllëku i madh dhe mënyra se si përdoret gjatë pjesës më të madhe të vitit krijojnë ndjesinë e një vendi të parrokshëm, ku prania njerëzore duket e përkohshme dhe e kushtëzuar. Vetëm në momente të caktuara, si gjatë festave, kjo distancë zbutet dhe sheshi fillon të perceptohet si pjesë e jetës së qytetit, jo thjesht si një simbol i tij.
Iliri, një i ri që ndodhet në shesh me familjen, shprehet se çdo vit e frekuentojnë gjithnjë e më pak.
“Jetojmë në Rrugën e Kavajës dhe dikur vinim shpesh. Tani vijmë më rrallë për shumë arsye. Çmimet e larta janë kryesorja, por edhe humbja e kuriozitetit.”
Megjithatë, ai pranon se ndjen një lloj kënaqësie teksa pi kafen në sheshin qendror të kryeqytetit.
“Një herë në vit na duket sikur ky shesh na përket neve, sikur është ndërtuar për njerëzit. Gjatë vitit shpesh është bosh. Të paktën një herë në vit është i yni, pavarësisht çmimeve. Pastaj është zgjedhje të vish ose jo.”

Raporti i njeriut me hapësirën publike mbetet i brishtë dhe shpesh i ndërprerë. Në shumicën e rasteve, qytetarët janë thjesht kalimtarë në vende që nuk u përkasin realisht, edhe pse janë ndërtuar në emër të tyre. Sheshet, rrugët dhe parqet funksionojnë më shumë si skena të përkohshme sesa si hapësira ku njeriu ndjehet vërtet zot i vendit.
Në këtë kuptim, Tirana ndryshon për pak ditë dhe, më saktë, ndryshon Sheshi Skënderbej. Ka edhe nga ata që këtë vit e vizitojnë sheshin për herë të parë. Një zonjë, e cila kërkon të mbetet anonime, tregon:
“Për mua është hera e parë që ulem të pi një kafe në shesh. Nuk kam pasur ndonjë arsye pse nuk kam ardhur më parë, por nuk e kam preferuar zhurmën dhe kaosin e viteve të shkuara. Këtë vit duket më i sistemuar.”
Por sa mund të pretendohet qetësi dhe rregull në një shesh ku pothuajse çdo vit qoftet, tymi, kafenetë, lojërat e zhurmshme dhe muzika e lartë bashkëjetojnë në pak metra katrorë? Këtë vit ngjan sikur situata është ndryshe përderisa ankesat janë të një tjetër tipologjie.
Klajdi, një i ri që po konsumon kafe me miqtë, mendon se shkaku kryesor i rrëmujës janë vetë njerëzit, veçanërisht adoleshentët.

“Janë të paedukatë dhe krijojnë kaos duke qenë të padisiplinuar. Për këtë arsye vij rrallë këtu.”
Ai shton se prania e tij në shesh është rastësore.
“Isha në kishë dhe, duke kaluar, ndaluam për një kafe. Nuk vij shpesh, edhe për shkak të çmimeve të larta.”
Pavarësisht pakënaqësive dhe dyzimit të qytetarëve, sheshi vazhdon të frekuentohet. Familje, fëmijë dhe të rinj shëtisin, bëjnë foto dhe argëtohen në këtë hapësirë publike, e cila të paktën një herë në vit u ofron ndjesinë e të qenit bashkë dhe të lirë në zemër të qytetit, edhe pse kjo “liri” vjen me një kosto të lartë.

Në këtë kuptim, janë të rralla rastet kur njerëzit e përjetojnë një hapësirë si të tyrën. Dhe kush më mirë se kafeneja , pjesë e pandashme e rutinës ditore, mund ta “familjarizojë” një shesh me individin? Të ulesh në qendër, në zemrën e kryeqytetit, nuk përbën vetëm një akt konsumimi të një kafeje apo argëtimi, por edhe një moment simbolik përkatësie. Për pak çaste, njeriu ndjen se ka të drejtë të qëndrojë, të vëzhgojë dhe të jetë pjesë e qytetit, jo vetëm si kalimtar mes ndërtesave dhe rregullave, por edhe si “zot” i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




