Mendim

Zonjat (jo të vogla) të letërsisë …

Nga Gazeta “SI”- Jonida Prifti, Ledia Xhoga dhe Jehona Kicaj janë tre shkrimtare shqiptare që jetojnë respektivisht në Itali, Angli dhe Gjermani. Ajo që i bashkon, përtej talentit të tyre si shkrimtare, është fakti se të treja janë nominuar për çmimet më prestigjioze letrare të vendeve ku jetojnë: “Strega” në Itali, “Booker Prize” në Angli dhe “Çmimi Gjerman i Librit” në Gjermani.

Edhe pse kombësia e tyre është shqiptare, letërsia që ato shkruajnë shpesh shkon përtej kufijve kombëtarë. Si pjesë tashmë e diasporës shqiptare dhe brezit të parë të emigrantëve pas viteve ’90, këto shkrimtare përfaqësojnë një brez të artë shqiptarësh që po bëjnë karrierë ndërkombëtare, duke mbartur me vete dramën, nostalgjinë dhe kujtesën e vendit prej nga vijnë.

Ismail Kadare: Miti i letërsisë shqiptare ndërkombëtare

Letërsia shqipe ka pasur gjithmonë një figurë referuese në arenën ndërkombëtare, Ismail Kadare. Që në moshën 26-vjeçare, ai ia doli të botohej në Francë, edhe pse jetonte në një Shqipëri diktatoriale. Talenti i tij i rrallë i dha njohje të gjerë ndërkombëtare, duke qenë për 40 vite kandidat i Çmimit Nobel dhe fitues i çmimeve të njohura si Man Booker Prize, Çmimi Neustadt Amerikan, Princi i Asturias dhe çmimi më i madh korean i letërsisë.

Ismail Kadare

Kadareja arriti të trajtonte temat kombëtare shqiptare në mënyrë universale, duke i dhënë miteve dhe traditave shqiptare përmasat që i lejon lexuesi europian dhe botëror të kuptojë dhe admirojë. Ai është shembulli se si një shkrimtar shqiptar mund të jetë i njohur ndërkombëtarisht pa humbur lidhjen me identitetin e tij kombëtar. Por, me shfaqjen në skenën europiane të letërsisë të shqiptareve të reja, duket sikur miti i përfaqësimit nga një i vetëm shkrimtar, po bie. Sigurisht krahasimi mbetet ende i largët, por shenjat janë të mira, dhe kjo i bën mirë gjithmonë letwrsisë shqipe.

Tre shkrimtaret shqiptare në fokus ndërkombëtar

Në dy muajt e fundit, tre shkrimtare shqiptare me banim jashtë vendit janë nominuar për tre nga çmimet më prestigjioze letrare në vendet ku jetojnë.

Jonida Prifti

Jonida Prifti është poete me origjinë nga Berati, e cila tashmë është finaliste e çmimit më të madh letrar italian, “Strega”, me vëllimin e saj me poezi Sorelle di confine. Në një intervistë për GazetaSi.al Prifti tregonte se disa prej poezive i shkruante në shqip, por shumica shkruheshin në italisht, duke reflektuar dramën e emigracionit të pas viteve ’90. Poezitë e saj janë një rrëfim i ndjeshëm mbi humbjen, nostalgjinë dhe përpjekjen për të gjetur identitetin në një botë të re.

Ledia Xhoga është nominuar për çmimin anglez “Booker”, me librin e saj ” Misinterpretation” , çmim i cili jepet çdo vit për romanin më të mirë në gjuhën angleze. Edhe në veprën e saj, tema e emigracionit është qendrore. Ajo trajton jo vetëm sfidat e largimit nga vendi i lindjes, por edhe ndikimin e këtij largimi mbi marrëdhëniet njerëzore, rrënjët dhe përpjekjen për të gjetur një vend të vetin në një shoqëri të re. Romani i saj pasqyron një realitet që mbetet aktual dhe universale për brezat e emigrantëve kudo në botë.

Ledia Xhoga

Jehona Kicaj, nga Kosova, është nominuar për “Çmimin Gjerman të Librit 2025” me romanin e saj “ë”.

Ky roman shqyrton pasojat e luftës së Kosovës, duke u fokusuar në historitë personale të njerëzve që detyrohen të largohen nga vendi i tyre. Vepra e Kicajt trajton dhimbjen, humbjen dhe përpjekjen për të rindërtuar jetën pas traumës së luftës, duke sjellë një pasqyrë të thellë dhe emocionuese mbi përvojën e emigracionit dhe pasojat e saj shoqërore dhe psikologjike. Të treja shkrimtaret, na japin bindjen se letërsia shqipe e diasporës, por gjen tashmë lidhjen e duhur me lexuesin universal duke shkrirë akujt e paragjykimit por dhe të përfaqësimit

“Zonjat e vogla të letërsisë”

Referuar  esesë së Ismail Kadaresë, Mëngjeset në kafe Rostand, poeteshat dhe shkrimtaret gra të pas viteve ’90 i cilëson si “zonjat e vogla të letërsisë”. Me këtë figurë, Kadare pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e grave shqiptare, të cilat shpesh janë të padukshme në histori dhe letërsi, por që luajnë një rol kyç në ruajtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare.

Por ndryshe nga poeteshat shqiptare të pas viteve 90 të cilat jetuan dhe shkruan në një tjetër kohë dhe kontekst ndoshta në pamundësinë e njohjes përtej kufinjve, sot shkrimtaret gra , pjesë e diasporës po e shtrojnë me talent dhe siguri rrugën e tyre letrare, duke u evidentuar dhe nominuar për çmimet më prestigjioze të letërsisë në botë.

Jehona Kicaj

35 vite nga rënia e diktaturës, letërsia shqipe nuk është më e vogël as në kuptim vokacioni por as në kuptim universal. Shkrimtaret shqiptare gra që jetojnë në Europë po tregojnë një vitalitet të ri dhe po krijojnë një literaturë që është njëkohësisht shqipe dhe europiane, me tematika që lidhen ngushtë me historinë dhe kulturën e vendit të tyre. Ky brez i ri i shkrimtareve po sfidon kufijtë dhe po përfaqëson fuqinë e diasporës shqiptare në letërsinë botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë