Njerez

“Zonja e Hekurt” e vaksinave që po shpëton Britaninë e Madhe

“Mjaft polemika dhe grindje rreth vaksinave: ato i bëjnë pacientët të ndjehen të pasigurt dhe të jenë të  pambrojtur. Duhet të ndiheni të qetë për sigurinë e vaksinës edhe për faktin se, pasi ta keni marrë, ju jeni me të vërtetë të mbrojtur”.

E di shumë mirë se çfarë thotë Lady Katherine Bingham, një kapitaliste sipërmarrjeje, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave britanike për disa muaj: ajo kryeson “task forcën” e vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar, një “model” për pjesën tjetër të botës (dhe për Evropën), me një normë të dozave të para të administruara, e cila sapo ka arritur 47 përqind të popullsisë (mesatarja e BE-së është 12).

Një portret i saj në prestigjiozen “Financial Times”, e cila e përshkruan në kolonën e famshme, “Një drekë me FT” (menuja është italiane: oktapod të stilit romak nga restoranti londinez “Lume”, 60 euro për person), është një mundësi për të shpjeguar suksesin e vaksinës (deri më tani) në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithashtu për të hedhur dritë mbi rezymenë e Bingham, emërimi i të cilës, është kritikuar në Britani, sepse ajo është gruaja e Sekretarit të Thesarit, Jesse Norman dhe një mik personal i kryeministrit, Boris Johnson.

“Në Francë, 61 përqind e qytetarëve e konsiderojnë “AstraZeneca”-n të pasigurt; në Mbretërinë e Bashkuar, 77% i besojnë asaj.  Polemika duhet të ndalet. Kategoritë në rrezik, duhet të vaksinohen”.

Normalisht, shton ajo, “provat në terren janë më pak emocionuese sesa provat klinike: më pak sukses, më shumë efekte anësore. E kundërta ndodh në rastin e vaksinave të tjera anti-Covid, provat përputhen në mënyrë të përsosur me testet”.

Sipas saj, kompania farmaceutike anglo-suedeze, përbëhet nga “heronj, të cilët kanë vënë bast për një vaksinë eksperimentale të shpikur në Oksfordi dhe e kanë bërë atë një formulë me kosto të ulët dhe të lehtë për t’u përdorur. Me vjen keq per ta. Shpresoj që historia të shkojë me mirësi dhe objektivitet”.

 Kush është Kate Bingham, “zonja e hekurt” e vaksinave britanike

E famshme, pavarësisht gjithçkaje , shefja e “taskë forcës” së vaksinimit, Kate Bingham, 55 vjeçe, ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për muaj me radhë.

Vjeshtën e kaluar, kur u studiua fushata britanike e vaksinimit dhe pas sukseseve të para, ajo doli të ishte një nga më të efektshmet në botë, duke e kthyer Bingham në heroinë të atdheut.

Disa muaj më vonë dhe pas disa pyetjeve gazetareske, ajo cilësohet si “mikesha e miqve”. Akuza ishte se ajo ishte pjesë e “chumocracy” të qeverisë Johnson, një term i papërkthyeshëm, që tregon një përzierje favorizimi, qarqesh magjike, kontratash dhe detyrash të besuara në një mënyrë arbitrare dhe bazuar në marrëdhëniet personale.

Kate Bingham është gruaja e Sekretarit të Thesarit, Jesse Norman, i cili, ashtu si Boris Johnson, studioi në Eton. “Duhet të më kishin përzgjedhur me konkurs? – provokon ajo. – Ndoshta po. Por nuk mendoj se mund të themi vërtet se kishte kohë për ta bërë ”.

Me një diplomë bachelor në biokimi nga Oksfordi, “isha e kualifikuar për këtë punë? Ndoshta rezultatet e marra flasin për mua”.

Nga “mikja e miqve” te “Catherine e madhe”

Tani fushata po funksionon dhe ajo është përsëri “Kate The Grate”, shkruan gazeta “Financial Times”. Për tridhjetë vjet, Bingham ka qenë një kapitaliste sipërmarrjeje e fondit “SV Health Investors”: kur Boris Johnson e thirri atë majin e kaluar, objektivi dukej i pamundur dhe bëhej fjalë për përgatitjen e një plani vaksinimi në më pak se katër muaj.

Sot, e gjithë kjo ndërmarrje ka pasur sukses, pothuajse triumfalisht dhe qeveria e mikut të saj, Boris Johnson, vetë i detyrohet shumë. Kur këshilltari i shkencave qeveritare, Patrick Vallance, e thirri atë, “përgjigjja ime e parë ishte: a e dini se unë nuk jam eksperte për vaksinat?.  Përgjigja ishte: ne kemi nevojë për ju”.

Disa ditë më vonë, “6 maj”, vjen thirrja nga Boris Johnson. “Ne shpejt e bëmë të qartë se do të ishte e vështirë dhe se nuk duhet patjetër të synonim për një vaksinë britanike. Pastaj kërkova një ekip super të përgatitur, të gjithë të zgjedhur nga unë”.

Një përzierje menaxherësh privatë dhe zyrtarësh nga ministri të ndryshme, me një portofol të madh financiar.

Vaksina Novavax, “e cila do të shkaktojë një ndjesi”

Bingham punon nga shtëpia e saj në Wye Valley, Uells: ajo bën gjithçka në ‘Zoom’, me një ekip, “që është perfekt, ideal, harmonik. Ne punojmë shpejt dhe pa grindje. Fenomenale” .

Dhe nëse Kate Bingham, flet për “AstraZeneca”-n dhe vaksinat e miratuara tashmë si “një mrekulli, nuk mund ta besoni atë që kemi bërë në vetëm nëntë muaj dhe me një efikasitet kaq të lartë”, vaksina për të cilën ajo personalisht “vuri bast” është formula ende në studim nga Novavax, një kompani e bioteknologjisë amerikane.

“Moshatarët e mi pyesin njëri-tjetrin ‘AstraZeneca apo Pfizer?’ Unë kam përgjigjen time”, qesh ajo. Vetë u regjistrua vullnetarisht për provën klinike të vaksinës Novavax, me katër doza.

“Për disa ditë do të marr të tretën”. Formula e Novavax-it, parashikon që, “kur ajo të realizohet,  do të shkaktojë zemërim”.

“Mosmarrëveshjet” me BE-në

Intervista gjithashtu përmban atë që duket të jetë një goditje në negociatat e zhvilluara nga Bashkimi Evropian, të cilat gjithashtu nuk janë përmendur.

Kate Bingham shpjegon: “Ne kemi biseduar me kompani që përpiqen t’i plotësojnë ato, duke kuptuar nevojat e tyre. Ne nuk i kemi numëruar qindarkat. Gjatë negociatave, vetë kompanitë farmaceutike nuk kishin ide të qarta në lidhje me koston e formulave. Nëse do të kishim bërë pazar, do t’i kishim parë ata të largoheshin nga tryeza e negociatave. Dhe gjithsesi, në fund arritëm me një çmim të rënë dakord. Por përparësia ishte gjithmonë që të bëhen vaksinat e para, duke mos kursyer asnjëherë 50 qindarka për çdo dozë”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë